Secondary Adv

SHBA dhe Kina bien dakord për lehtësimin e kufizimeve të eksportit dhe ruajtjen e paqes tregtare

Politikat e paqëndrueshme tarifore të Presidentit Donald Trump kanë trazuar tregjet globale.

Zyrtarë amerikanë dhe kinezë deklaruan se kishin arritur një marrëveshje paraprake për të rikthyer në rrugë të drejtë armëpushimin tregtar dhe për të hequr kufizimet kineze ndaj eksporteve të metaleve të rralla, megjithëse mbetet pak shpresë për një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve të thella tregtare.

 

Në përfundim të dy ditëve negociata intensive në Londër, Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, deklaroi se marrëveshja çon më tej marrëveshjen e arritur në Gjenevë muajin e kaluar, e cila kishte për qëllim uljen e tarifave ndëshkuese dypalëshe që kishin arritur nivele treshifrore.

 

Por marrëveshja e Gjenevës kishte ngecur për shkak të vazhdimit të kufizimeve të Kinës ndaj eksporteve të mineraleve të rralla, çka shtyu administratën Trump të përgjigjej me masa të reja ndalimi për eksportin e softuerëve për dizajnin e çipave, pajisjeve të aviacionit dhe produkteve të tjera drejt Kinës.

 

Lutnick tha se marrëveshja në Londër do të çojë në heqjen e kufizimeve ndaj eksporteve kineze të metaleve të rralla dhe magneteve, si dhe disa kufizimeve të reja amerikane, “në mënyrë të balancuar”. Ai nuk dha hollësi të tjera pas përfundimit të bisedimeve, rreth mesnatës sipas orës lokale në Londër.

 

“Kemi arritur një kornizë për të zbatuar atë çka ramë dakord në Gjenevë dhe bisedën mes dy presidentëve,” tha Lutnick, duke shtuar se tani të dy palët do ta paraqesin për miratim te presidentët e tyre.

 

“Nëse miratohet, do të kalojmë në zbatimin e saj,” shtoi ai.

 

Në një deklaratë, Zëvendësministri kinez i Tregtisë, Li Chenggang, konfirmoi se ishte arritur një marrëveshje në parim, e cila do t’i paraqitej udhëheqësve të të dy vendeve.

 

Politikat e paqëndrueshme tarifore të Presidentit Donald Trump kanë trazuar tregjet globale, kanë shkaktuar kaos në portet kryesore dhe u kanë kushtuar kompanive miliarda dollarë humbje nga shitjet dhe shtim kostosh.

 

Marrëveshja e re mund të ndihmojë në mbajtjen gjallë të marrëveshjes së Gjenevës përballë kufizimeve të ndërsjella të eksportit, por nuk adreson thellësisht mosmarrëveshjet mbi tarifat e njëanshme të Trump dhe kritikat afatgjata amerikane ndaj modelit ekonomik shtetëror dhe të orientuar nga eksportet të Kinës.

 

Josh Lipsky, drejtor i lartë i Qendrës së Gjeoekonomisë në Këshillin Atlantik në Uashington, tha se palët lanë Gjenevën me interpretime të ndryshme të marrëveshjes dhe se ishte e nevojshme të përcaktoheshin më saktë hapat e kërkuar.

 

Të dy vendet kanë afat deri më 10 gusht për të negociuar një marrëveshje më të plotë për lehtësimin e tensioneve tregtare, ndryshe tarifat do të rikthehen në nivelet e mëparshme: nga rreth 30% në 145% në anën amerikane dhe nga 10% në 125% nga ana kineze.

 

Reagimi i tregjeve

 

Aksionet globale kanë rikuperuar humbjet e mëdha që pasuan shpalljen e tarifave të Trump në prill, dhe aktualisht janë afër niveleve më të larta historike. Megjithatë, investitorët, të prekur nga trazirat e mëparshme, reaguan me kujdes ndaj marrëveshjes dhe indeksi i MSCI për aksionet e rajonit Azi-Paqësor jashtë Japonisë u luhat në mënyrë të kujdesshme.

 

Shenja të zbutjes së kufizimeve nisën të shfaqen në Kinë, pasi disa kompani të listuara në Shenzhen, përfshirë JL MAG Rare-Earth, Innuovo Technology dhe Beijing Zhong Ke San Huan, njoftuan se kanë marrë licenca eksporti nga autoritetet kineze.

 

Kina ka pothuajse monopol mbi prodhimin e magneteve të metaleve të rralla, komponentë kyç në motorët e automjeteve elektrike. Vendimi i saj në prill për të ndaluar eksportet e një game të gjerë mineralesh dhe magnetesh çrregulloi zinxhirët globalë të furnizimit.

 

Në maj, SHBA u kundërpërgjigj duke ndaluar dërgesat e softuerëve për dizajn çipash, kimikateve dhe pajisjeve të aviacionit, duke anuluar licencat e eksportit të lëshuara më parë.

 

Eksportet kineze bien ndjeshëm

 

Për të zgjidhur luftën tregtare mund të nevojiten rregullime politike nga të gjitha vendet për të trajtuar çekuilibrat financiarë, ndryshe rrezikohet dëmi ekonomik i ndërsjellë, deklaroi presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, në një vizitë në Pekin së fundmi.

 

Të dhënat doganore të publikuara të hënën treguan se eksportet totale të Kinës drejt SHBA ranë me 34.5% në maj – rënia më e madhe që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.

 

Ndërkohë që ndikimi në inflacionin dhe tregun e punës në SHBA ka qenë i kufizuar, tarifat kanë goditur besimin e biznesit dhe familjeve, ndërsa dollari vazhdon të jetë nën presion.

 

Kina, Meksika, Bashkimi Europian, Japonia, Kanadaja dhe shumë kompani ajrore dhe të industrisë së hapësirës kanë bërë thirrje, që administrata Trump të mos vendosë tarifa të reja mbi avionët tregtarë dhe pjesët e tyre, në emër të sigurisë kombëtare.

 

Vetëm pak pas shpalljes së projekt-marrëveshjes, një gjykatë amerikane e apelit vendosi të lejojë që tarifat më të gjera të Trump të qëndrojnë në fuqi gjatë shqyrtimit të një vendimi të mëparshëm që i bllokonte ato, me arsyetimin se kishin kaluar kompetencat ligjore të presidentit.

 

Vendimi mban gjallë një pikë kyçe presioni ndaj Kinës: tarifat “reciproke” 34% të vendosura nga Trump, aktualisht të pezulluara, që patën shkaktuar një përshkallëzim të menjëhershëm të tarifave. /Reuters

 

/Monitor (https://monitor.al/shba-dhe-kina-bien-dakord-per-lehtesimin-e-kufizimeve-te-eksportit-dhe-ruajtjen-e-paqes-tregtare/)


Më të lexuarat