Mbi 8400 aplikime online për leje ndërtimi në 5 muaj, Marsi dhe Prilli me numrin më të lartë
Sektori i ndërtimit në Shqipëri vijon të tregojë shenja të forta dinamike dhe interesi të lartë nga qytetarët dhe investitorët.
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga platforma shtetërore e-Albania, në pesë muajt e parë të këtij viti janë kryer gjithsej 8429 aplikime për Leje Ndërtimi (e-Lejet), duke dëshmuar për një prirje të qëndrueshme drejt zhvillimit urban dhe rigjallërimit të tregut ndërtimor në vend.
Muaji janar u mbyll me 1,460 aplikime, ndërsa në shkurt numri i kërkesave u rrit në 1,651. Rritja kulmoi në muajin mars me 1,879 aplikime, duke shënuar pikën më të lartë të periudhës së raportuar. Edhe në prill u regjistrua një shifër e lartë prej 1,812 aplikimesh, ndërsa në maj pati një rënie të lehtë me 1,627 kërkesa të reja.
Këto shifra tregojnë një interes konstant për ndërtim, si në sektorin privat ashtu edhe atë institucional, si dhe dëshmojnë për efikasitetin e procedurave të digjitalizuara përmes platformës elektronike shtetërore.
Ndërkohë të dhënat e INSTAT për 3-mujorin e parë të vitit 2025 treguan se vetëm 258 leje ndërtimi ishin miratuar, gjithashtu edhe sipërfaqja e ndërtimit do të ulej por ndërkohë vlera e investimit shënonte rritje.
Ndërtimet për banim përbënin pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 188 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 215.418m².
Ndërsa ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zunë pjesën tjetër me 70 leje dhe 119.719m² sipërfaqe.
Digjitalizimi i shërbimeve publike ka lehtësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në marrjen e lejeve ndërtimore, duke reduktuar ndjeshëm burokracitë dhe kohën e pritjes. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit dhe në shtimin e iniciativave ndërtimore në të gjithë territorin e vendit. /Scan