Secondary Adv

Porti 5 miliard dollare ne Kavaje, miratohet fondi per projektin

Avancon ideja për ndërtimin e portit të Karpenit pas miratimit të ligjit në Kuvend që autorizon tre ministri të negociojnë.Në mbledhjen e radhës së qeverisë është miratuar një rishpërndarje fondesh në Ministrinë e Ekonomisë duke hequr 40 milionë lekë nga programi për mbështetjen për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e turizmit për t’i kaluar në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”.


Nga fondi, 14 milionë lekë janë vendosur për shpenzime korrente, ndërsa 26 milionë lekë janë vendosur në dispozicion të konsulentëve të huaj që të përdoren për mbulimin e shpenzimeve që do të bëjnë studimin dhe vlerësimin ligjor e financiar për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike.


Ligji që i jep autorizon tre ministri të negociojnë kontratën e portit gjigant të Kavajës u miratua vetëm nga shumica, pasi opozita e kundërshtoi. Skepticizmi i opozitës lidhet me garancitë financiare të kompanive që do ndërtojnë projektin 5 miliardë dollarësh, pasi sipas tyre vetë kompania aplikuese ka një kapital prej 100 stërlinash.


Por sipas qeverisë ndërtimi i portit të ri do të hapë 70 mijë vende pune. Projekti synon që, duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një transit më ekonomik të mallrave.


Investimi
Kanë qenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, që kanë marrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë, me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë efiçente të një kontrate me subjektin në fjalë. Dikasteret, nga një vlerësim paraprak i projektit “Morgan”, të paraqitur nga aleanca e kompanive të njohura në fushën e projektimit, ndërtimit dhe operimit të porteve strategjike në botë, të përfaqësuara nga subjekti për qëllime të veçanta “Star Bridge Port Developments Limited”, sugjerojnë se propozimi i sjellë përbën një investim strategjik, i pari i këtyre përmasave në Shqipëri dhe një mundësi unike zhvillimi, si për zonën ku është menduar të realizohet, edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit.


Projekti “Morgan” parashikon ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie, përkatësisht: Projekti “Deep Ëater Port” – Porti detar me thellësi të madhe dhe Projekti “Port Centric Logistics and Enterprise Zone” – Zona ekonomike.


Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD-sh për një periudhë 5¬10 vjet. Porti parashikon hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej 1700 hektarësh. Zona e portit parashikohet të përbëhet nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase).


Më të lexuarat