Secondary Adv

BQE: Ari tejkalon euron si aktivi i dytë më i rëndësishëm në botë

Ari ka kaluar euron si aktivi i dytë rezervë më i rëndësishëm për bankat qendrore, i nxitur nga blerje rekord dhe çmime në rritje, sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE).

Sipas një raporti të publikuar nga BQE, ari përbënte 20% të rezervave zyrtare globale në vitin 2024, duke lënë pas euron me 16% dhe duke u renditur pas dollarit amerikan, që mbetet në krye me 46%.

 

“Bankat qendrore vazhduan të blejnë ar në një ritëm rekord,” shkruan BQE, duke shtuar se për të tretin vit radhazi, ato blenë mbi 1,000 ton ar në vitin 2024 – rreth një e pesta e prodhimit global vjetor dhe dyfishi i mesatares vjetore gjatë dekadës së 2010-ës.

 

Stoku i arit i mbajtur nga bankat qendrore globalisht po i afrohet niveleve historike të epokës së pasluftës, kur sistemi Bretton Woods lidhi monedhat me dollarin dhe këtë të fundit me arin në një kurs fiks deri në vitin 1971.

 

Rezervat e arit në bankat qendrore, të cilat kulmuan në 38,000 ton në mesin e viteve 1960, arritën në 36,000 ton në vitin 2024, sipas të dhënave më të fundit të BQE-së. “Bankat qendrore në mbarë botën tani mbajnë pothuajse aq ar sa në vitin 1965,” thuhet në raport.

 

Ndër blerësit më të mëdhenj të arit vitin e kaluar ishin India, Kina, Turqia dhe Polonia, sipas Këshillit Botëror të Arit.

 

Rritja me 30% e çmimit të arit gjatë vitit të kaluar ishte një nga faktorët kryesorë pas rritjes së pjesës së tij në rezervat valutore globale. Që nga fillimi i vitit, çmimi i arit është rritur edhe me 27% të tjera, duke arritur një rekord historik prej 3,500 dollarësh për ons troy.

 

“Kjo sasi rezervash, së bashku me çmimet e larta, e bënë arin aktivin e dytë më të madh rezervë në tregje për vitin 2024 – pas dollarit amerikan,” theksoi BQE.

 

Megjithëse ari nuk sjell interes dhe është i kushtueshëm për t’u ruajtur, ai shihet nga investitorët si një aktiv i sigurt, likuid dhe i paprekur nga sanksionet.

 

Në vitet e fundit, bankat qendrore janë përpjekur të diversifikohen nga dollari amerikan për shkak të pasigurive gjeopolitike dhe nivelit të borxhit të SHBA-ve. Ky trend i “de-dollarizimit” është përshpejtuar sidomos mes vendeve në zhvillim pas pushtimit rus të Ukrainës, kur SHBA kufizoi aksesin e Rusisë në tregjet financiare.

 

“Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kërkesa për ar nga bankat qendrore u rrit ndjeshëm dhe ka mbetur e lartë,” shkruan raporti i BQE-së, duke theksuar se ari po shihet gjithnjë e më shumë si një mjet mbrojtjeje ndaj sanksioneve, përfshirë ngrirjen e aseteve financiare.

 

“Pesë nga dhjetë rritjet më të mëdha vjetore në pjesën e arit në rezervat valutore që nga viti 1999, ndodhën në vende që u përballën me sanksione atë vit ose një vit më parë,” tregon analiza e BQE-së. Shtetet që janë afër gjeopolitikisht me Kinën dhe Rusinë kanë rritur ndjeshëm rezervat e arit në tre vitet e fundit.

 

Një sondazh mes 57 bankave qendrore, që mbanin rezerva ari vitin e kaluar zbuloi se shqetësimet për sanksione, ndryshimet e mundshme në sistemin monetar global dhe dëshira për të ulur varësinë nga dollari ishin nxitës kryesorë në vendet në zhvillim.

 

Ndryshe nga më parë, kur çmimi i arit zakonisht binte kur rriteshin kthimet reale të aktiveve të tjera, kjo tendencë është prishur që nga fillimi i vitit 2022. Investitorët po e konsiderojnë gjithnjë e më pak arin si mbrojtje kundër inflacionit dhe më shumë si mbrojtje ndaj riskut politik.

 

BQE theksoi se oferta e arit zakonisht është rritur gjatë periudhave me çmime të larta: “Nëse historia na shërben si udhërrëfyes, rritja e mëtejshme e kërkesës zyrtare për ar mund të nxisë edhe më shumë rritje të ofertës globale të arit.” / Monitor(https://monitor.al/bqe-ari-tejkalon-euron-si-aktivi-i-dyte-me-i-rendesishem-ne-bote/)


Më të lexuarat