Prodhimi i pajisjeve Made in Albania për Forcat e Armatosura, qeveria miraton shoqërinë e përbashkët
Këshilli i Ministrave miraton krijimin e një shoqërie të përbashkët për prodhimin e mjeteve motorike për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri tregtare private, për krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, me qëllim mes të tjerave prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi.
Gjithashtu, “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, pa të drejtë tjetërsimi. Po kështu gjatë procesit të negocimit, në çdo rast siguron nga subjekti me të cilin negocion minimalisht: një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve; punësimin e jo më pak se 150 punonjësve në harkun kohor të 3 vjetëve; ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s, si dhe sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
Përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare që do të krijohet do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e mjeteve ushtarake, dhe mjeteve për përdorim nga strukturat e sigurisë e të emergjencave civile. Gjatë negociatave, administratorët e shoqërisë që do të krijohen zgjidhen me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, por edhe siguron nga pala tjetër se minimalisht 50% e këshillit drejtues që do të krijohet do të emërohen nga “KAYO”, sh.a.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., ofron nëpërmjet strukturave të ruajtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë garancinë e sigurisë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre./Scantv