×
Secondary Adv

Miratohet vendimi/ 10 mijë m2 tokë shtetërore me 1 euro për resortin në Korçë

Qeveria ka miratuar dhënien me qira 1 euro të 10 mijë m² tokë shtetërore në Korçë për kompaninë “Investment and Development Albania”.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e ditës së djeshme vendimin që i hap rrugën nënshkrimit të kontratës për t’i dhënë me qiranë simbolike 1 euro shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k. një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në Bashkinë Korçë.

 

Kjo pronë shtetërore, e llojit truall, do të përdoret për ndërtimin e “Green House Korça Resort”, një projekt që parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz me 94 dhoma, restorante, bare dhe ambiente të tjera shërbimi.

 

Më herët, kompania në 1 shkurt 2023 kishte përfituar statusin “investitor strategjik”. Projekti ka një vlerë të deklaruar investimi prej 18 milionë euro dhe aksionerët e shoqërisë janë të gjithë personazhe të njohur.

 

Aksioner në shumicë është Agim Zeqo me 40%, i njohur edhe si Gimja i Red Bullit, Gerian Kuka, biznesmen dhe Ilir Shtufi, ndërtues, i cili ka marrë lejen për të ndërtuar “Malin e Tiranës”, kullën me 65 kate në kryeqytet, të dy me nga 30% të aksioneve në shoqëri.

 

“Green House Korça Resort”, një resort me 5 yje do të ndërtohet në një nga zonat më tërheqëse të Korçës, në mes të gjelbërimit.

 

Hoteli do të shtojë më tej jo thjesht mundësitë e akomodimit në një qytet ku ka kërkesë të rritur, sidomos në periudhën e dimrit, por edhe opsionet e resorteve me 5 yje në qytetin e serenatave. /ekofin.al


Më të lexuarat