
Doganat e Ballkanit do rrisin partneritetin për lehtësimin e tregtisë dhe luftën kundër kontrabandës
Drejtuesit e Doganave të Ballkanit Perëndimor diskutuan në konferencë sfidat ligjore, modernizimin dhe projektet për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Sfidat për përmirësimin e legjislacionit, përmirësimi i infrastrukturës dhe modernizimi i pikave doganore në harmonizim me standardet e BE-së dhe rritja e partneritetit me projekte konkrete që do të nisin zbatimin ishin tematikat kryesore që u diskuan sot mes drejtuesve të Doganave të Ballkanit Perëndimor të pranishëm në punimet e Konferencës së Dytë të Nivelit të Lartë “Partneriteti Doganor për një Europë të Lidhur – Thellimi i Bashkëpunimit Doganor CEFTA-BE për lidhje të Pandërprerë”.
Në hapje të punimeve të konferencës Zv.kryeministrja Belinda Balluku theksoi se synimi kryesor është fokusimi në masa konkrete për të lehtësuar tregtinë me bizneset të tilla si ulja e kohës së pritjes në pikat e kalimit, thjeshtësimi i procedurave dhe padyshim avancimi i proceseve dixhitale.
“Pas shumë sfidash, jemi sot më afër se kurrë portës së dikurshme të mbyllur, që sot është gjysmë e hapur dhe Besojmë fort në angazhimin e administratës shqiptare dhe në vullnetin politik të vendeve anëtare të BE-së për të na mirëpritur. Çdo institucion që bashkërendon punën me vendet e BE-së luan një rol kyç në rrugën tonë drejt anëtarësimit, dhe doganat janë pjesë e rëndësishme e strukturave shtetërore me detyra specifike në këtë proces të integrimit europian”, pohoi Balluku.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Petrit Malaj theksoi rëndësinë e përafrimit të procedurave doganore me të BE-së me shtrirjen e investimeve në tregje të reja.
“Për të arritur me sukses drejt objektivit të BE apo finishi sipërmarrjet tona do duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë në këtë treg unik të BE dhe të japin kontributin e tyre për një ekonomi të fortë të përbashkët natyrisht që ne duam të shohim që sipërmarrjet tona të jenë të suksesshme dhe të rriten. Duam që ndërmarrjet tona të tërheqin sa më shumë investime të huaja dhe të shtrihen në tregje të reja.
Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm. Një pikë kyçe është përmirësimi i efikasitetit të administratës doganore. Ato janë një shtyllë strategjike për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Jemi të përkushtuar për të përafruar të gjitha procedurat tona me BE. Rritjen e bashkëpunim rajonal mes administratave doganore të Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i korridoreve të gjelbër dhe të kaltër për të mundësuar kalime më të shpejta dhe më të integruara në kufi”, theksoi ndër të tjera Malaj.
Projekti Pilot në Pikën Kufitare të Kakavijës për luftën kundër kontrabandës dhe qenieve njerëzore
Edhe në panelin e diskutimit mes drejtuesve të Administratave të Përgjithshme Doganore të vendeve të rajonit, fokusi kryesor ishin sfidat e doganave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për arritjen e standardeve të BE-së dhe
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Greqisë, Dimitrios Bourikos tha se në pikën kufitare të Kakavijës do të zbatohet një projekt pilot sipas direktivës së BE-së , në bashkëpunim me palën shqiptare, si një hap konkret për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të inteligjencës doganore. Projekti do të ndihmojë në lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Ai përmendi se që prej vitit 2005 janë ndërmarrë nisma për kontrollin e kontejnerëve dhe se mekanizmi SEED për shkëmbimin elektronik të të dhënave ka ndihmuar në përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit. Gjithashtu, përmendi zbatimin e praktikave të kanaleve të gjelbra, që kanë thjeshtuar procedurat doganore, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.
Drejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, theksoi sfidat që përballen doganat në rajon, veçanërisht harmonizimi i legjislacionit dhe kodit doganor me kërkesat e BE-së, ndërtimi i infrastrukturës moderne dhe përmirësimi i pajisjeve.
Ai vlerësoi takimin si një mundësi të rëndësishme për forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore të rajonit.
Gjatë konferencës gjithashtu u diskutua forcimi i partneriteteve doganore mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një mundësi unike për të përafruar përpjekjet rajonale me praktikat më të mira të BE-së dhe për të ndërtuar një treg të përbashkët rajonal më të fortë. / Monitor(https://monitor.al/doganat-e-ballkanit-do-rrisin-partneritetin-per-lehtesimin-e-tregtise-dhe-luften-kunder-kontrabandes/)
Më të lexuarat









