×
Secondary Adv

400 mln euro në vit për rrugët, por pse Shqipëria u rendit e fundit në rajon për infrastrukturën

Shqipëria renditet e fundit ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor sa i përket infrastrukturës.

Buxheti i shtetit ka shpenzuar rreth 40 miliardë lekë në vit (400 milionë euro) për infrastrukturën rrugore në 2024-n dhe rreth 38 miliardë lekë në 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Ndërsa për shërbimet dixhitale (e-qeverisjen) në vitin 2024 ishte i programuar një buxhet prej 14 miliardë lekësh.

 

Megjithatë Shqipëria renditet e fundit ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor sa i përket infrastrukturës dhe lidhshmërisë, sipas raportit të OECD-së “Treguesi i Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2025”. Pavarësisht disa investimeve të kryera në rrjetin rrugor dhe sektorin energjetik, infrastruktura rrugore dhe hekurudhore e vendit vazhdon të mbetet e pazhvilluar dhe joefikase në krahasim me standardet rajonale.

 

Sipas raportit, Shqipëria ka treguesit më të ulët në lidhje me transportin hekurudhor, një sektor pothuajse jashtë funksioni, si dhe me shpejtësinë dhe përhapjen e internetit, veçanërisht në zonat jashtë qendrave urbane. Për më tepër, mungesa e një strategjie të qëndrueshme investimi dhe kapacitetet e kufizuara institucionale për të menaxhuar projektet e infrastrukturës janë përmendur si pengesa kyçe në përparimin e vendit.

 

Pse Shqipëria renditet dobët:

 

- Transporti hekurudhor është thuajse jashtë funksioni, me investime të pakta dhe përdorim minimal.

- Rrjetet rrugore kanë mbetur prapa standardeve të rajonit, sidomos në zonat rurale.

- Cilësia e infrastrukturës digjitale është e ulët, gjë që ndikon negativisht në lidhjen teknologjike dhe qasjen në shërbime moderne.

- Mungesa e koordinimit të projekteve të mëdha dhe kapaciteti i kufizuar institucional për të menaxhuar fonde e projekte investimi ka ngadalësuar përparimin.

 

Në kontrast, Serbia dhe Mali i Zi janë vlerësuar në raport për investimet strategjike në rrjetet hekurudhore dhe rrugore, duke arritur përmirësime të ndjeshme në lidhjet ndërkombëtare dhe në logjistikën e brendshme. Serbia veçanërisht ka përfituar nga përfshirja në korridoret evropiane dhe ndërtimi i autostradave moderne.

 

Maqedonia e Veriut renditet në pozicion të ndërmjetëm, me progres të kufizuar në hekurudha dhe lidhje ndërkufitare. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova ndajnë fundin e klasifikimit me Shqipërinë, por kanë treguar përmirësime më të qëndrueshme në rrjetin rrugor dhe në efikasitetin e transportit.

 

Sipas OECD-së, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës është kusht i domosdoshëm për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të rritur integrimin tregtar dhe për të përshpejtuar afrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së. Rekomandohet një qasje më e koordinuar në planifikim, më shumë investime në transportin hekurudhor dhe zgjidhje për boshllëqet digjitale në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

 

Infrastruktura e dobët pengon arritjen e standardeve të BE-së

 

Raporti i OECD-së e renditi Shqipërinë të tretën ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në lidhje me përparimin e përgjithshëm ndaj Bashkimit Europian. Raporti i vitit 2025 analizon 35 tregues të ndarë në pesë klasterë të politikave: Infrastruktura dhe lidhshmëria; Aftësitë; Mjedisi i biznesit; Transformimi digjital; Ekonomia e gjelbër.

 

Raporti thekson se klasteri më i dobët i Shqipërisë është ai i Infrastrukturës dhe Lidhshmërisë, si për sa i përket pikëve ashtu edhe për renditjen, duke qenë e fundit në rajon. Infrastrukturat e transportit mbeten të pazhvilluara, me rrugë dhe hekurudha të kufizuara. Infrastrukturat digjitale gjithashtu mbeten të pamjaftueshme, duke reflektuar shpejtësitë e ulëta të internetit në ekonomi.

 

Raporti rekomandon se për të mbështetur zgjerimin e bizneseve dhe për të rritur integrimin në treg, kërkohet më shumë investim në infrastrukturë dhe transport, me theks të veçantë te transporti hekurudhor, ku sasia e mallrave të transportuara për kilometër hekurudhe në Ballkanin Perëndimor është aktualisht pak mbi 4% të mesatares së BE-së.

 

/Monitor (https://monitor.al/400-mln-euro-ne-vit-per-rruget-por-pse-shqiperia-u-rendit-e-fundit-ne-rajon-per-infrastrukturen/)


Më të lexuarat