
Kërcënimet tregtare të Trump e çojnë dollarin në nivelin më të ulët në tre vjet
Monedha amerikane bie ndjeshëm pasi presidenti thotë se do të vendosë tarifa të reja ndaj partnerëve tregtarë brenda dy javëve.
Kërcënimet e fundit të presidentit Donald Trump për tarifat tregtare e çuan dollarin në nivelin më të ulët në tre vjet, ndërsa shqetësimet për tregtinë dhe gjeopolitikën shtuan më shumë presion mbi monedhën.
Dollari ra pasi Trump tha se do t’u dërgonte letra partnerëve tregtarë, duke i informuar për normat e reja të tarifave në dy javët e ardhshme, ndërsa po afron fundi i pauzës 90-ditore për tarifat “reciproke” muajin e ardhshëm.
Monedha amerikane ra me 0.8 % kundrejt grupit të partnerëve të saj tregtarë, përfshirë paundin dhe euron. Kjo rënie tregon se dollari ka tejkaluar nivelin më të ulët, që kishte arritur pas shpalljes së tarifave të Trump në fillim të prillit dhe ka arritur nivelin më të ulët që nga marsi i vitit 2022.
“Komentet e Trump sigurisht që tregojnë një përshkallëzim të ri të tensioneve tregtare para datës zyrtare të afatit,” tha Lee Hardman, analist në MUFG.
Investitorët gjithashtu po ndjekin me kujdes armëpushimin tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, të shpallur të mërkurën, dhe tensionet në rritje mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, me administratën Trump që autorizoi largimin e personelit ushtarak nga Lindja e Mesme.
“Do të shohim se çfarë ndodh,” u tha Trump gazetarëve. “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, shumë e thjeshtë.”
Ndërkohë që tensionet tregtare vazhdojnë të rëndojnë mbi dollarin, aksionet janë rikuperuar nga rënia e prillit, me S&P 500 që po i afrohet një rekordi të ri historik ditët e fundit. Tregjet e kontratave të së ardhmes të aksioneve, treguan rënie 0.5 % për indeksin e Wall Street ditën e sotme.
Aksionet gjithashtu pësuan rënie në Europë, Stoxx Europe 600 ra me 0.9 %.
Inflacioni më i ulët se sa pritej në SHBA, gjithashtu ka peshuar mbi dollarin këtë javë, duke hapur mundësinë për ulje më të shpejta të normave të interesit nga Rezerva Federale. Në të kundërt, sinjalet nga Banka Qendrore Europiane javën e kaluar, që mund të jetë afër përfundimit të ciklit të uljeve të normës së interesit, e kanë shtyrë euron më lart.
Tregjet e kontratave të së ardhmes të aksioneve parashikojnë dy ulje të normës së interesit me 0.25 pikë përqindjeje për çdo tremujor nga Fed këtë vit.
Këto lëvizje kanë shtuar rënien e dollarit, vlera e të cilit është ulur rreth 10 % këtë vit, ndërsa shqetësimet ekonomike për luftën tregtare përzihen me frikën nga një deficit në rritje dhe shenja, që disa investitorë po zvogëlojnë ekspozimin e tyre ndaj aseteve amerikane. Një dispozitë buxhetore, që do t’i lejonte qeverinë të rrisë taksat mbi investimet e huaja, ka shtuar pasigurinë.
“Dobësia e dollarit mund të vazhdojë edhe më tej,” tha Vasileios Gkionakis, ekonomist i lartë në Aviva Investors. “Distancimi nga SHBA po e rrit primin e riskut të vendit dhe po ndikon negativisht vlerën e dollarit.” / FT
/Monitor (https://monitor.al/kercenimet-tregtare-te-trump-e-cojne-dollarin-ne-nivelin-me-te-ulet-ne-tre-vjet/)
Më të lexuarat









