
Izraeli sulmon Iranin, shpallet gjendje e jashtëzakonshme: Lindja e Mesme përgatitet për hakmarrje
Izraeli ka sulmuar pas mesnate centralet bërthamore në vende të ndryshme të Iranit.
Shpërthime janë raportuar edhe në Teheran. Një valë tjetër sulmesh u raportuan sërish më vonë. Sulmet u kryen në 8 qytete. Të paktën pesë persona u vranë dhe 50 të tjerë janë plagosur. Viktimat u raportuan në zonën Narmak të Teheranit.
Sipas La Repubblica, ushtria izraelite ka sulmuar të paktën 6 baza rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash i dyshuar në të kaluarën se është përfshirë në teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën edhe centralin bërthamor Natanz, në jug të Teheranit, por edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit. Përveç qytetit kryesor të vendit, Tabrizit, në veriperëndim dhe ku ndodhen rafineritë kryesore, u sulmuan edhe qytetet e Esfahanit, Arakut dhe Kermanshahit.
Sipas mediave, në Teheran, sulmi izraelit goditi disa ndërtesa që strehonin komandantë të lartë ushtarakë iranianë. Një zyrtar izraelit i mbrojtjes tha se sulmi kishte në shënjestër edhe Shtabin e Përgjithshëm iranian, përfshirë shefin e shtabit, dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë.
Shkencëtari bërthamor Mohammad-Mehdi Tehranchi dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Fereidoun Abbasi, u vranë në sulme. Raportohet se është vrarë gjithashtu edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha në një deklaratë se Izraeli kishte “lëshuar dorën e tij të ligë dhe të përgjakshme” dhe se do të kishte “një fat të hidhur për veten”. “Regjimi sionist i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm”, tha Ali Khamenei, duke përsëritur se Izraeli “do të vuajë një ndëshkim të rëndë”.
Nga ana tjetër, Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në pritje të sulmeve hakmarrëse me raketa dhe dronë. Ministria e Transportit njoftoi se hapësira ajrore e shtetit të Izraelit deri jetë e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm. IDF tha se dhjetëra avionë të Forcave Ajrore kryen sulmin fillestar në kuadër të operacionit “Luani që ngrihet”. Sipas IDF, sulmi ishte në përgjigje “të agresionit të vazhdueshëm të regjimit iranian kundër Izraelit".
Kryeministri izraelit Benjamin Netahyani deklaroi se kishin goditur "zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe përpjekjet e tij për të zhvilluar një armë bërthamore", duke shtuar se sulmi kishte në shënjestër impiantin kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz, si dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë të përfshirë në zhvillimin e bombës dhe thelbin e programit të raketave balistike të vendit.
"Ne do të vazhdojmë për ditë të tëra, për aq kohë sa të duhet", shtoi Netanyahu.
Ndërkohë, SHBA-të kanë deklaruar se kanë qenë në dijeni të sulmit, por nuk janë përfshirë. Presidenti amerikan e tha këtë për Fox Neës. Por edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, deklaroi:
"Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të angazhuar në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është të mbrojmë forcat amerikane në rajon. Izraeli na ka komunikuar se beson që ky veprim është i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij", tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
"Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbetur në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin amerikan", përfundoi Rubio.
Në operacionin “Luani ngrihet”, për të cilin tha se kishte për qëllim të pengonte programin bërthamor të Iranit, raportohet se janë vrarë figura të larta ushtarake iraniane dhe shkencëtarë bërthamorë. BBC, duke cituar mediat shtetërore iraniane, raporton se bëhet fjalë për:
- Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike.
- Gholamali Rashid, komandanti i Shtabit Qendror të Khatam-al Anbiya.
- Fereydoon Abbasi, shkencëtar bërthamor dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit.
- Mohammad Mahdi Tehranchi, një tjetër shkencëtar bërthamor i përfshirë në programin e armëve bërthamore të Iranit.
- Mohammad Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit.
Ndërkohë, Ali Shamkhani, këshilltari i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është plagosur rëndë, sipas raportimeve iraniane.
Irani po planifikon të "japë një përgjigje të ashpër" Izraelit pasi sulmit që ai kreu, tha një burim iranian i sigurisë për Reuters.
“Përgjigja ndaj sulmit izraelit do të jetë e ashpër dhe vendimtare”, tha zyrtari, duke shtuar se detajet e hakmarrjes së Iranit po diskutohen në nivelet më të larta, ndërsa u pyet nëse sulmi do të ishte i afërt. /Shqiptarja
Më të lexuarat









