×
Secondary Adv

Sulmet e Izraelit ndaj Iranit, tregjet globale në tension, rriten çmimet e arit dhe naftës

Një sulm ajror në shkallë të gjerë i kryer nga Izraeli ndaj Iranit ka shkaktuar tronditje në tregjet globale.

Një sulm ajror në shkallë të gjerë i kryer nga Izraeli ndaj Iranit ka shkaktuar tronditje në tregjet globale, duke nxitur rritje të ndjeshme të çmimeve të arit dhe naftës, si dhe rënie të aksioneve amerikane. Tensioni mes dy vendeve është përshkallëzuar ndjeshëm, teksa frika për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme është rritur ndjeshëm.

 

Të premten në mëngjes, Izraeli kreu një sulm ajror parandalues ndaj Iranit, duke goditur “dhjetëra” objektiva ushtarake dhe bërthamore. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi se pritet një kundërsulm i menjëhershëm nga Irani në formën e raketave dhe dronëve që mund të godasin civilët izraelitë.

 

Sirenat e alarmit u dëgjuan në të gjithë Izraelin, ndërsa shpërthimet tronditën Teheranin. Mbrojtja ajrore iraniane u aktivizua në mënyrë të plotë, sipas mediave shtetërore. Dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë Reuters se sulmi ishte kryer pa asnjë përfshirje të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio e konfirmoi këtë, duke e cilësuar veprimin si një akt vetëmbrojtjeje nga ana e Izraelit.

 

Tregjet reagojnë: Ari dhe nafta në rritje

 

Pas lajmit për sulmin, çmimi i arit në tregjet ndërkombëtare u rrit me 1.5%, duke arritur në 3,436.97 dollarë për ons.

 

Kjo rritje ndodhi pas një vale pasigurie që kishte filluar më herët gjatë javës për shkak të tensioneve tregtare SHBA-Kinë, por përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Iran duket se ka nxitur kërkesën për vende të sigurta investimi si ari.

 

Ndërkohë, tregu i naftës shënoi gjithashtu një kërcim të ndjeshëm. Kontratat e ardhshme të naftës Brent, që skadojnë në korrik, u rritën me 8.5%, duke arritur në 75.15 dollarë për fuçi – niveli më i lartë që nga fillimi i shkurtit. Nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 8.4%, në 73.68 dollarë për fuçi. Kjo rritje pasqyron shqetësimet për ndërprerje të furnizimit global nëse konflikti përshkallëzohet më tej.

 

Tregjet amerikane në rënie

 

Lajmi për sulmet solli ndikime edhe në tregjet e aksioneve amerikane. Çmimi i S&P 500 ra me 1.5%, ndërsa ai i Nasdaq 100 pësuan rënie me 1.7%. Indeksi Dow Jones shënoi një rënie prej 1.3%, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për pasojat gjeopolitike dhe ekonomike të konfliktit.

 

Pavarësisht deklaratave se SHBA nuk është e përfshirë në sulmin ndaj Iranit, Shtëpia e Bardhë kishte paralajmëruar më herët se mund të ndërmarrë masa ushtarake nëse dështojnë negociatat bërthamore me Teheranin. Ndërkohë, Irani ka përsëritur angazhimin për t’iu përgjigjur çdo sulmi të huaj. /Syri


Më të lexuarat