×
Secondary Adv

Euro vijon pikiatën pavarësisht ndërhyrjes së BSH, zbret në minimum të ri historik

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun pësoi përsëri rënie të premten dhe preku një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 97.88 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë.

 

Agjentët e këmbimit mendojnë se rënia e kursit të Euros duket se lidhet me shtimin e ndjeshëm të prurjeve valutore të lidhura me turizmin gjatë muajit qershor. Një rënie e ndjeshme u shënua edhe në prag të fundjavës së kaluar, kur Euro pati zbritur përsëri poshtë vlerës së 98 lekëve.

 

Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor në fillim të javës së kaluar për të blerë Euro, duke bërë që monedha europiane të ringrihej përkohësisht sipër nivelit të 98 lekëve.

 

Por, me afrimin e fundjavës duket se presionet rënëse mbi Euron janë forcuar përsëri, duke e zbritur monedhën europiane në vlerën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në kursin zyrtar të këmbimit.

 

Sezoni veror, ashtu siç pritej, po ndikon edhe këtë vit në një rënie të mëtejshme të kursit të këmbimit të Euros me Lekun. Duke filluar nga gjysma e dytë e muajit prill, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar një zhvendosje në rënie.

 

Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se një rënie e tillë është pak a shumë e zakonshme dhe lidhet me rritjen e flukseve valutore hyrëse, të lidhura sidomos me shtimin e numrit të vizitorëve të huaj. Trysnia mbi kursin e Euros është forcuar më tej me fillimin e qershorit, kur sezoni veror bëhet më intensiv.

 

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, e viteve të fundit tenton të shtrëngojë ofertën e Lekut me kalimin e muajve, duke shtuar presionin për mbiçmimin e monedhës vendase. Deri në fund të 4-mujorit, buxheti ishte përsëri në suficit të dukshëm, në vlerën e 38 miliardë lekëve, megjithëse në rënie me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë e kufizoi rënien e kursit deri në nivelin e 98 lekëve, nëpërmjet blerjeve të mëdha valutore, që filluan në muajin maj dhe vazhduan pothuajse për të gjithë pjesën e mbetur të vitit. Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, në vlerën më të lartë historike.

 

Duke parë tendencat e kursit të këmbimit, është e pritshme që blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë do të vazhdojnë të jenë të konsiderueshme edhe këtë vit. Me inflacionin poshtë objektivit prej 3%, Banka e Shqipërisë ka ende hapësira për të ndërhyrë në kursin e këmbimit, duke qëndruar në linjë me objektivin e saj kryesor ligjor.

 

/Monitor (https://monitor.al/bsh-e-ringriti-perkohesisht-euron-por-afrimi-i-fundjaves-e-zbret-ne-minimum-te-ri-historik/)


Më të lexuarat