×
Secondary Adv

Izraeli vijon sulmet: Nuk është një operacion, jemi në luftë me Iranin

Izraeli thotë se është në luftë me Iranin.

Duke mos e cilësuar thjesht si një ‘operacion’ sulmet që ka kryer ndaj bazave bërthamore dhe ushtarake iraniane, zyrtarë të lartë të IDF-së kanë deklaruar se, forcat ajrore nisën një sulm historik parandalues ndaj kërcënimit që vjen nga Irani.

 

"Forcat Ajrore nisën një sulm historik parandalues ​​për të eliminuar këtë kërcënim ekzistencial kundër Shtetit të Izraelit. Operacioni u planifikua gjatë një lufte të vështirë shumëfrontëshe. Ky nuk është një operacion: është një luftë, e planifikuar dhe e kryer 1,500 kilometra larg shtëpisë", komentuan zyrtarë të lartë të IDF-së për sulmet në Iran për Ynet.

 

"Ne eliminuam komandantët dhe shkencëtarët të parët, ky është një veprim në zhvillim e sipër. Ne zgjodhëm momentin më të mirë për ne dhe goditëm vendin e Natanzit, nuk do ta kishim bërë pa sigurinë se do të ishim në gjendje të përfundonim misionin", shtuan ata.

 

Ndërkohë, IDF në një tjetër deklaratë, thotë se veprimi ushtarak është ende në fazat e hershme.  

 

"Operacioni është ende në fazat e hershme. Irani ka qëllime dhe aftësi, dhe Teherani po përgatitet për një përgjigje, një sulm kundër nesh. Popullsia duhet të veprojë me gjakftohtësi, mbrojtja nuk është hermetike", tha zëdhënësja e ushtrisë izraelite Effie Defrin, duke shtuar se IDF po vazhdonte të sulmonte objektiva në Iran.

 

"Ne e kemi dëmtuar ndjeshëm uzinën bërthamore të Natanzit. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të veprojmë kundër këtij kërcënimi, duhet të përgatitemi për një operacion të zgjatur pasi veprimi ushtarak është ende në fazat e hershme."

 

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë konfirmuar vrasjen e Komandantit të Forcave Ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), Gjeneral Amir Ali Hajizadeh.

 

IDF thotë se mbrëmë identifikuan udhëheqësit e Forcave Ajrore të IRGC-së "të mbledhur në një qendër komande nëntokësore për t'u përgatitur për një sulm ndaj Shtetit të Izraelit", duke shtuar se Forcat Ajrore izraelite goditën "qendrën e komandës ku" ndodhej Ali Hajizadeh, së bashku me oficerë të tjerë.

 

Hajizadeh, tha IDF në komunikatë, ka deklaruar publikisht angazhimin e tij për shkatërrimin e Izraelit në ngjarje të ndryshme në vitet e fundit dhe ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e planit të regjimit iranian për të shkatërruar Izraelin.

 

Kujtojmë që në dy sulmet e para, u eliminuan 5 komandantë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë. Mes tyre edhe Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike. /Shqiptarja


Më të lexuarat