×
Secondary Adv

Tatimet vendosin paga referencë për turizmin, nga 55 mijë deri në 140 mijë lekë, detajet

Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave referencë për 45 profesione në sektorin e turizmit, për sezonin turistik 2025.

Bizneset në sektorin e turizmit që i paguajnë punonjësit më pak se paga indikative e përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, do t'i nënshtrohen një kontrolli më të thelluar tatimor.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dalë me një njoftim zyrtar ku informon të gjithë tatimpaguesit e sektorit të turizmit, se në kuadër të zbatimit të planit sektorial të turizmit dhe rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore në funksion të rritjes së pensioneve, Administrata Tatimore do të analizojë pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesa.

 

Si rezultat i nëndeklarimit të pagave nga ana e bizneseve, por jo vetëm, skema e pensioneve është në vend numëro. Aktualisht, raporti kontribues-përfitues është 1.17 me 1. Pra për një pensionist, sot kontribuojnë vetëm 1.17 të punësuar.

 

Për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve, analiza do të ketë si element krahasues pagat indikative të profesioneve në sektorin e turizmit.

 

Në listën e publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, jepen pagat indikative për profesione si kamarier, menaxher, roje, pastrues, kuzhinier, punëtor dhe të tjerë. Paga më e ulët është 55,000 lekë për rojen e parkimit dhe varion deri në 70,000 apo 80,000 për kamarierët, 60,000 për punëtorët apo sanitaret, 90,000 ose 110,000  për menaxherët, 140,000 për kuzhinierët apo kryekuzhinierë etj.

 

Çdo tatimpagues që pagën e punonjësit të tij të deklaruar, për profesionet e sipërpërmendura ose të ngjashme me to, do ta ketë nën nivelin e pagës indikative, do të konsiderohet me risk dhe do të bëhet objekt i verifikimeve të thelluara.

 

Pra, nëse një kamarier paguhet më pak se 70,000 lekë në muaj nga një biznes që ushtron aktivitet në fushën e turizmit, ky biznes ka risk më të lartë për penalitete. /Scan


Më të lexuarat