Rriten shkeljet në prokurime, konkurrenca po kufizohet, tenderat anulohen pa sqarim
Mungesa e transparencës dhe praktikat e dyshimta në vlerësimin e ofertave po kthehen në shqetësim të përsëritur, që ngre alarmin për tendera të anuluar pa sqarim dhe kritere që favorizojnë subjektivitetin.
Përmes një raporti të bërë publik, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) evidenton raste të përsëritura shkeljesh nga të njëjtat autoritete kontraktore, si dhe praktika që përjashtojnë padrejtësisht operatorë ekonomikë përmes kushteve të papërshtatshme.
Raporti nxjerr në pah shkeljet më të shpeshta të institucioneve publike gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në vitin 2024.
Sipas dokumentit, është rritur ndjeshëm përdorimi i procedurës “me negocim pa shpallje paraprake”, duke ulur transparencën dhe konkurrencën në treg.
Institucioni rekomandon masa për rritjen e kontrollit, trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të prokurimit dhe forcimin e transparencës.
Sipas vëzhgimit të institucionit, vihet re:
Rritje e praktikës së “negocimit pa shpallje”
APP vëren një rritje të ndjeshme të përdorimit të procedurës “me negocim pa shpallje paraprake të kontratës”, duke ulur transparencën dhe konkurrencën.
Mungesë arsyetimi për anulimet
Shumë autoritete kontraktore nuk japin argumente të qarta për anulimin e procedurave të prokurimit, çka cenon besueshmërinë e procesit.
Vlerësime subjektive në tendera
Në disa raste janë konstatuar kritere vlerësimi të formuluara në mënyrë jo të qartë, duke i dhënë hapësirë subjektivitetit gjatë përzgjedhjes së operatorëve.
Shkelje të përsëritura nga disa institucione
Raporti përmend raste të përsëritura të mosrespektimit të ligjit nga të njëjtat autoritete publike, duke sjellë rrezik të përhershëm për fondet publike.
Evidentohen raste të kufizimit të konkurrencës
Ka institucione që vendosin kritere specifike për operatorët ekonomikë, të cilat nuk janë gjithmonë në përputhje me natyrën e kontratës, duke përjashtuar në mënyrë të padrejtë garues të tjerë.
Propozime për përmirësim
APP rekomandon: trajnime të vazhdueshme për njësitë e prokurimit, rritje të transparencës dhe forcim të kontrollit institucional ndaj shkeljeve të përsëritura.