×
Secondary Adv

Sulmet izraelite kundër Iranit, mbyllet hapësira ajrore e Lindjes së Mesme

Kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet në pjesën më te madhe te Lindjes së Mesme, pas sulmeve izraelite ndaj bazave iraniane.

Reuters njofton se zonat e konfliktit janë në rritje, në të gjithë botën dhe po bëhen një barrë gjithnjë e më e madhe për kompanitë ajrore dhe një shqetësim për sigurinë.

 

Rrugët devijuese shtojnë kostot e karburantit të kompanive ajrore dhe zgjasin kohëzgjatjen e udhëtimit.

 

Izraeli tha se kishte shënjestruar objektet bërthamore të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë – në fillim të asaj që paralajmëroi se do të ishte një operacion i zgjatur për të parandaluar Teheranin të ndërtojë armë bërthamore.

 

Aeroporti “Ben Gurion” i Tel Avivit u mbyll dhe njësitë e mbrojtjes ajrore të Izraelit qëndruan në gatishmëri të lartë – për sulme të mundshme hakmarrëse nga Irani.

 

“El Al Airlines” e Izraelit tha se kishte pezulluar fluturimet për në dhe nga Izraeli, ashtu si edhe “Air France KLM” dhe linjat ajrore “Ryanair” dhe “Wizz”.

 

“Wizz” tha se kishte ridrejtuar fluturimet e prekura nga hapësira ajrore e mbyllur në rajon për 72 orët e ardhshme.

 

Kompanitë ajrore izraelite “El Al”, “Israir” dhe “Arkia” po zhvendosnin avionët jashtë vendit.

 

Të dhënat e “FlightRadar” treguan se hapësira ajrore mbi Iranin, Irakun dhe Jordaninë ishte bosh, me fluturime të drejtuara drejt Arabisë Saudite dhe Egjiptit.

 

“Rreth 1 800 fluturime për në dhe nga Evropa janë prekur ndryshimet ajrore deri më tani, duke përfshirë afërsisht 650 fluturime të anuluara”, sipas “Eurocontrol”.

 

Me hapësirën ajrore ruse dhe ukrainase të mbyllur për shkak të luftës, rajoni i Lindjes së Mesme është bërë një rrugë edhe më e rëndësishme për fluturimet ndërkombëtare midis Evropës dhe Azisë.

 

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme uli aksionet e linjave ajrore në të gjithë botën.

 

“British Airways”, “IAG” shënuan rënie me 4,6%, “Delta Air Lines” me 4% dhe “Ryanair” me 3,5%.

 

Një rritje e çmimeve të naftës pas sulmit gjithashtu shkaktoi shqetësime në lidhje me çmimet e karburantit të avionëve.

 

Shumë linja ajrore globale kanë ndaluar fluturimet për në dhe nga Tel Avivi – pasi një raketë e lëshuar nga rebelët Huthi të Jemenit drejt Izraelit, më 4 maj ra pranë aeroportit.

 

“Hapësira ajrore iraniane është mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm”, sipas mediave shtetërore.

 

“Air India”, e cila fluturon mbi Iran për në Evropë dhe Amerikën e Veriut, tha se disa fluturime po devijoheshin ose po ktheheshin në vendin e origjinës, duke përfshirë ato nga Nju Jorku, Vankuveri, Çikago dhe Londra.

 

“Lufthansa” e Gjermanisë tha se fluturimet e saj për në Teheran ishin pezulluar dhe se do të shmangte hapësirën ajrore iraniane, irakiane dhe izraelite, për momentin.

 

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu anuluan fluturimet për në dhe nga Iraku, Jordania, Libani dhe Irani, ndërsa “Qatar Airways” anuloi fluturimet për në Iran, Irak dhe Siri.

 

“Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore dhe pezulloi të gjithë trafikun në aeroportet e tij”, raportuan mediet shtetërore irakiane. /Ballkan Web


Më të lexuarat