Numri i bizneseve u rrit me vetëm 1.4 për qind më 2024, kryesojnë tregtia dhe shërbimet
Në 2024, numri i bizneseve në vendin tonë arriti në 132 mijë, me një rritje vetëm 1.4% në krahasim me vitin 2023.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT në raportin “Regjistrat e Biznesit 2024” tregojnë duke përfshirë edhe fermerët me nipt njësitë ligjore te biznesit arritën gjithsej 237.881, gati 11 mijë më shumë se një vit më parë me zgjerim 4,9%.
Struktura e bizneseve mbetet dukshëm e anuar drejt sektorëve të shërbimit. 86,0% e ndërmarrjeve klasifikohen si prodhues shërbimesh, duke gjeneruar 67,1% të xhiros vjetore.
Prodhuesit e të mirave përbëjnë 14,0 % të ndërmarrjeve, por gjenerojnë 32,9% të qarkullimit, çka dëshmon produktivitet dukshëm më të lartë për njësi.
Edhe më domethënëse është pesha e firmave të mëdha: vetëm 1,5% e ndërmarrjeve kanë mbi 50 të punësuar, por ato punësojnë 49,6% të forcës së punës dhe arkëtojnë 45,7% të xhiros totale.
Ky koncentrim tregon se ekonomia dhe zinxhirët e furnizimit gjenerohen kryesisht nga pak aktorë, teksa pjesa dërrmuese e biznesit mbetet në nivel mikro ose familjar (85,8% me 1-4 punonjës).
Në tri qarqet kryesore, Tiranë, Durrës dhe Vlorë janë të përqendruara 66,4% të ndërmarrjeve aktive dhe 57,1% të njësive lokale, duke thelluar përqendrimin urban të aktivitetit ekonomik.
Vetëm Tirana numëron 63.212 ndërmarrje, ndërsa Kukësi ka minimalisht 1.393. Rajoni i qendrës, Tiranë + Elbasan llogarit 53,6% të ndërmarrjeve dhe 59,1% të punësimit, duke konfirmuar statusin e tij si motor ekonomik kombëtar.
Ndërmarrjet me pronësi apo ortakëri të përbëjnë 5,3% të totalit, por punësojnë 12,8% të forcës së punës. Dy të tretat vijnë nga vende të BE-së; vetëm Italia zë 41,8% të këtyre investimeve, e pasuar nga Kosova (8,3%) dhe Turqia (6,5%). Përqendrimi në qarkun Tiranë (64,8%) tregon se infrastruktura dhe ekosistemi i kryeqytetit vijojnë të jenë pikat hyrëse kryesore për kapitalin ndërkombëtar.
Raporti thekson se 31,4% e ndërmarrjeve janë në pronësi ose administrim femëror, një përmirësim të lehtë ndaj 2023-it. Megjithatë, bizneset e drejtuara nga gratë janë të përqendruara në biznesin e vogël me 1-4 punonjës.
Gjithashtu numri fermerëve me NIPT u rrit me 9,6%, në 105.709, duke përbërë tashmë gati 44% te të gjitha njësive ligjore.
Ato janë të përqendruara në Bashkitë Lushnjë dhe Fier. Ky trend sugjeron rritje të kërkesave fiskale e dokumentare për të aksesuar subvencionet.
Të dhënat e Regjistrave të Biznesit 2024 konfirmojnë se ekonomia shqiptare po zgjeron gradualisht bazën e saj, por ende mbetet e fragmentuar mes shumë njësi mikro. Ndërkohë që sektori i shërbimeve vazhdon të udhëheqë rritjen. /Monitor