×
Secondary Adv

Rrjeti i supermarketeve Lidl vjen në Shqipëri, merr statusin investitor strategjik

Gjigandi gjerman i supermarketeve Lidl vjen më në fund në Shqipëri.

Komititeti i Investimeve Strategjike ka miratuar në mbledhjen e datës  10 prill 2025 dhënien e statusit investitor strategjik për “LIDL – Shqipëria Qendër Logjistike” me subjekt “Lidl Shqipëria” sh.p.k.

 

Projekti i investimit strategjik parashikon realizimin e investimit mbi 105 milionë Euro.

 

Ai do të zhvillohet brenda gjurmës së Projektit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit me Zhvillues Autoritetin Portual Durrës, sipas Vendimit të KKTKU me nr. 09, datë 27.07.2022.

 

Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” i jepet projektit të investimit “LIDL – Shqipëria Qendër Logjistike” për një periudhë 3 (tre) vjeçare. Investimi  synon të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 200 mijë m2, e cila ndodhet pranë zonës logjistike portuale në Porto Romano, Durrës.

 

Ai parashikon ndërtimin e një qendre logjistike e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë. Produktet e magazinuara synojnë të furnizojnë si tregun shqiptar, duke lehtësuar grumbullimin, mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, ashtu si dhe promovimin dhe eksportin e jashtëm të këtyre produkteve. Subjekti synon gjithashtu të operojë në tregun shqiptar duke krijuar operacione të shitjes me pakicë përmes një rrjeti të gjerë supermarketesh dhe parashikohet të punësojë rreth 2500 persona, thuhet në vendim.

 

Autoriteti Portual Durrës në cilësinë e Zhvilluesit të Projektit të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano, në bashkëpunim me institucionet përkatëse si ASHK, AZHT dhe ASHSH, ka marrë të gjitha masat për vijimin e ndjekjes së procedurës së nisur për realizimin e procesit të shpronësimit, në funksion të implementimit të Masterplanit të sipërcituar. Pas përfundimit të procedurave administrative, Autoriteti do të disponojë të gjithë sipërfaqen e gjurmës sipas “Masterplanit të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano”. /ekofin.al


Më të lexuarat