
Irani hakmerret, godet Jerusalemin dhe Tel Avivin: Gati të lëshojmë 2 mijë raketa
Sulme të ashpra Izrael- Iran. Teherani hakmerret dhe thotë se është gati të lëshojë 2 mijë raketa drejt Izraelit.
Shpërthime në Tel Aviv e Jerusalem, 3 të vdekur dhe 80 të plagosur. Në Iran u eliminua zinxhiri i komandës ushtarake.
Luftime të ashpra gjatë natës midis Izraelit dhe Iranit, sulme që vijnë pasi Izraeli nisi ofensivën e tij më të madhe ajrore ndonjëherë kundër armikut të tij të hershëm në një përpjekje për ta parandaluar atë të zhvillojë armë bërthamore.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në Tel Aviv dhe Jerusalem, dy qytetet më të mëdha të Izraelit, duke i detyruar banorët të nxitonin në strehimore ndërsa valë të njëpasnjëshme raketash iraniane përhapeshin në qiell.
Izraeli po ashtu sulmoi edhe rezidencën e udhëheqësit suprem të Iranit Khameneit. Agjencia e lajmeve Fars tha se dy predha goditën aeroportin Mehrabad të Teheranit. Në kundërsulm ata shënjestruan Jerusalemin dhe Tel Avivin. Deri më tani raportohen 3 të vdekur dhe 80 të plagosur.
Përfaqësuesi i Iranit në OKB thotë se numri i të vdekurve iranianë nga sulmet e fundit izraelite ishte 78 , me më shumë se 320 të plagosur, ai shtoi se "shumica dërrmuese" janë civilë.
Thirrjet që të dyja palët të tregojnë përmbajtje kanë vazhduar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, thotë: "Mjaft me përshkallëzimin. Koha për të ndaluar" Ndërkohë, në OKB, ambasadori izraelit tha: "Pritja jonë ka mbaruar, ne do ta çmontojmë programin bërthamor të Teheranit".
Izraeli sulmoi Iranin në orët e para të mëngjesit të së premtes me objektiv centralet bërthamore dhe infrastrukturën ushtarake duke goditur 200 prej tyre në të gjithë Iranin. Nga sulmet u eliminua zinxhiri ushtarak, pasi u vranë rreth 20 komandantë të lartë ushtarakë dhe 7 shkencëtarë.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftoi se në sulmet ajrore të Forcës Ajrore izraelite, në fillim të Operacionit “Si një Luan”, janë eliminuar nëntë shkencëtarë dhe ekspertë të nivelit të lartë që kishin avancuar programin e armëve bërthamore të regjimit iranian.
“Sulmi u bë i mundur falë informacionit të saktë të mbledhur nga Divizioni i Inteligjencës,” thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Ndër shkencëtarët e lartë të përfshirë në projektin bërthamor iranian që u eliminuan janë:
Fereydoon Abbasi, ekspert i inxhinierisë bërthamore;
Mohammad Mahdi Tehranchi, ekspert i fizikës;
Akbar Motallebi Zadeh, ekspert i inxhinierisë kimike;
Saeed Borji, ekspert i inxhinierisë së materialeve;
Amir Hassan Fakahi, ekspert i fizikës;
Abd al-Hamid Minuchehr, ekspert i fizikës së reaktorëve;
Mansour Asgari, ekspert i fizikës;
Ahmad Reza Zolfagari Dariani, ekspert i inxhinierisë bërthamore;
dhe Ali Bookai Katriemi, ekspert i mekanikës.
“Eliminimi i tyre përbën një goditje të rëndësishme për aftësinë e regjimit iranian për të siguruar armë të shkatërrimit në masë,” thuhet në deklaratë. /Shqiptarja
Më të lexuarat









