Hapet thirrja për rijetëzimin e pallatit të sportit Asllan Rusi
Korporata e Investimeve Shqiptare ka shpallur thirrjen për realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i Pallatit të Lojrave me dorë “Asllan Rusi”, Tiranë.
Projekti synon të transformojë Pallatin e Lojrave me dorë “Asllan Rusi” në Tiranë dhe zonën urbane përreth tij, duke e kthyer në një qendër multifunksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Tiranës.
Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti.
Konkurrimi për përzgjedhjen e partnerit privat do të kryhet nëpërmjet procedurës konkurruese përzgjedhëse me pikëzim, me 2 faza/3 zarfa, përkatësisht faza e kualifikimit dhe faza e përzgjedhjes, siç specifikohet në “Rregulloren për Procedurën e Konkurrimit”, të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Korporatës.
Faza e kualifikimit (Faza I) konsiston në paraqitjen e një aplikimi nga subjektet e interesuara, aplikim i cili përmban projektidenë paraprake arkitekturore të projektit dhe dokumentacionin që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve të kualifikimit të aplikantëve.
Faza e përzgjedhjes (Faza II) konsiston në paraqitjen e një propozimi, i cili përmban dy zarfa të ndarë: (a) zarfi i parë përmban projektidenë arkitekturore dhe (b) zarfi i dytë përmban ofertën financiare, sic detajohet në Ftesën për Propozim. Kjo fazë synon përzgjedhjen e projekidesë arkitekturore dhe të propozimit financiar më të favorshëm për Korporatën të paraqitur nga një partner i kualifikuar.
Ky njoftim hap fazën e parë të procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit. Në këtë fazë do të kualifikohen 5 (pesë) kandidatë, të cilët krahas projektidesë, duhet të marrin përsipër pagesën e vlerës së projektit të detajuar arkitekturor të konceptidesë, pagesën e vlerës së taksave, tarifave dhe kontributeve, në kuadër të aplikimit për leje zhvillimi, leje ndërtimi, mbikëqyrjen e punimeve apo çdo fazë të zhvillimit të pronës deri në regjistrimin e pronës së zhvilluar etj.
Projektideja konstiston në ndërtimin e një sipërfaqeje rreth 40,000 metra katrorë.
Vetëm kandidatët e kualifikuar në fazën e parë do të ftohen në fazën e dytë të konkurrimit. Faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatit fitues konsiston edhe në paraqitjen nga aplikantët edhe të ofertës financiare. Ofertat e paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 40% e sipërfaqes totale të zhvillimit në pronën shtetërore (prona e Bashkisë Tiranë/Qendra Sportive sh.a.
Kriteri përzgjedhës në fazën e dytë është përqindja më e lartë e sipërfaqjes së ofruar për Korporatën mbi kriterin bazë, të përllogatitur mbi sipërfaqjen totale të metrave katrorë të zhvilluar në pronën shtetërore. Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri në datën 13 korrik 2025, ora 15.00. /ekofin.al