Sezoni turistik, Bashkia e Himarës pezullon të gjitha ndërtimet deri në 15 shtator
Bashkia e Himarës ka urdhëruar pezullimin e të gjitha punimeve ndërtimore në zonën turistike të qytetit nga 15 qershori deri më 15 shtator, për të ruajtur ambientin dhe pamjen gjatë sezonit turistik.
Ky urdhër vlen për të gjitha subjektet që kanë leje ndërtimi nga Bashkia e Himarës.
Sipas vendimit, subjektet ndërtuese duhet të sigurojnë rrethimin dhe mbulimin e objekteve me materiale estetike, për të krijuar një ambient të këndshëm për pushuesit vendas dhe të huaj.
Gjithashtu, ato janë të detyruara të rikthejnë në gjendjen e mëparshme zonat ku kanë ndërhyrë në rrjetet e ujësjellësit, komunikacionit dhe rrugëve.
'Mbështetur në ligjin Nr.44/2015 "Kodi i Procedurave Administrative", ligjin Nr. 139/ 2015 datë 17.02.2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", ligjin 107/2014 "Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit", ligjin 9780/2007 "Për inspektimin e ndërtimit", ligjin 90/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore", ligjin 93/2015 "Për turizmin", VKM Nr.894/2015 "Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së territorit dhe ai i njësisë vendore", dhe VKB Himarë Nr.7 datë 11.02.2025" Për miratimin e planit të punës, për menaxhimin e sukseshëm të sezonit turistik 2025 dhe planit të veprimit përkatës" me qëllim sigurimin e një sezoni të qëndrueshëm, krijimin e një mjedisi miqësor për pushuesit vendas dhe të huaj, duke eliminuar ndotjet dhe zhurmat që vijnë si rezultat i ndërtimeve:
URDHËROJ:
1- Pezullimin e përkohshëm të punimeve, të subjekteve që janë pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Himarë në zonën turistike të Bashkisë Himarë, për periudhën 15.06.2025- 15.09.2025.
2- Periudha e pezullimit të punimeve parashikuar në pikën 1 të këtij urdhri, do t'i shtohet si afat periudhës së përfundimit të punimeve miratuar nga Bashkia Himarë.
3- Subjektet ndërtuese të marrin masa për rrethimin, veshjen e objektit ku po punohet me materiale estetike, për të krijuar mjedis miqësor për pushuesit vendas dhe të huaj.
4- Subjektet ndërtuese/zbatuese që po kryejnë ndërhyrje në përmirësimin e rrjeteve të komunikimit, linjave të ujësjellësit, ndërtimit të rrugëve, të kthejnë ambjentet në gjendjen e mëparshme brenda datës 15/06/2025.
5- Për zbatimin e këtij urdhëri ngarkohet Drejtoria e Mbrojtjes së Territorit Bashkia Himarë, Policia Bashkiake Himarë, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit Himarë. Ky urdhër hyn në fuqi më 15/06/2025', thuhet në vendim. /Shqiptarja