
Normat e interesit të Euros në nivelet më të ulëta prej tre vitesh
Normat e interesit të Euros po e thellojnë rënien në pjesën e parë të këtij viti, duke e bërë më të leverdishme huamarrjen në monedhën europiane.
Treguesi kryesor benchmark i Euros në tregjet ndërkombëtare, Euribori 12-mujor, tashmë ka zbritur pranë kufirit të 2%, në nivelet më të ulëta të tre viteve të fundit.
Euribori 12-mujor është njëkohësisht treguesi referues kryesor i përdorur për çmimin e kredive me norma të ndryshueshme interesi nga bankat tregtare në Shqipëri. Ulja e Euriborit e ul automatikisht normën totale të interesit të kredisë në rishikimin e saj periodik, duke bërë që huamarrësit të paguajnë këste më të ulëta mujore.
Rënia e normave të interesit të Euros është reflektuar menjëherë vitin e kaluar në një rritje të kërkesës për kredi në monedhën europiane. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia në Euro iu kthye rritjes vitin e kaluar, e mbështetur sidomos nga kërkesa e bizneseve dhe nga ulja e normave të interesit.
Vitin e kaluar sektori bankar dha kredi të reja në euro për një vlerë të barasvlershme me 153.7 miliardë lekë, në rritje me 13.7% krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, shifrat nuk janë të rregulluara me efektin e kursit të këmbimit.
Nëse mbajmë parasysh se kursi mesatar i këmbimit euro-lek ra me 7.4% vitin e kaluar, rritja e kredisë në euro, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, do të ishte afërsisht 21%.
Rritja e portofolit të kredisë në Euro erdhi e gjitha nga segmenti i bizneseve private.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bizneset morën hua në Euro për një shumë të përgjithshme prej 130.4 miliardë lekësh, në rritje me 24.3% krahasuar me një vit më parë. Viti i kaluar u karakterizua nga një rritje e shpejtë e kreditimit të biznesit në tërësi, rritje që u mbështet në pjesën më të madhe pikërisht nga kredia në Euro.
Kredia në Euro pësoi një frenim në vitin 2023, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit, përveç efektit statistikor të rënies së kursit të këmbimit të Euros me Lekun. Madje, një pjesë e huamarrësve vendosën të konvertonin kreditë ekzistuese nga Euro në Lek, duke shfrytëzuar kursin e favorshëm të këmbimit, por edhe faktin se për herë të parë normat e interesit në Lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në Euro.
Por, vitin e kaluar, Banka Qendrore Europiane nisi uljen e normave të interesit, pas një cikli dyvjeçar në rritje. Banka Qendrore Europiane po vazhdon me uljen e normave të interesit të euros dhe këtë muaj aplikoi një ulje të mëtejshme, me 0.25 pikë përqindje. Norma e interesit të depozitave ditore zbriti në 2%, ndërsa ajo e instrumenteve bazë të rifinancimit në 2.4%.
Kjo ka ulur rrjedhimisht edhe normat e interesit të euros në tregjet financiare, duke përfshirë treguesin benchmark që përdoret për indeksimin e huave në monedhën europiane, Euriborin.
Ulja e normave të interesit në Euro krijon premisa për rritje të mëtejshme të kredisë në monedhën europiane nga sektori bankar shqiptar, duke ndjekur një cikël mjaft të pozitiv të huadhënies në ekonominë vendase.
Vitin e kaluar, kredia për ekonominë u rrit me ritmet më të larta që prej vitit 2009, ndërsa të dhënat e deritanishme tregojnë se rritja po vazhdon me ritme të ngjashme edhe në muajt e parë të vitit 2025.
/Monitor (https://monitor.al/normat-e-interesit-te-euros-ne-nivelet-me-te-uleta-prej-tre-vitesh-2/)
Më të lexuarat









