×
Secondary Adv

Irani planifikon vendosjen e minave në ngushticën e Hormuzit nëse SHBA bashkohet me Izraelin

Irani po përgatit raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse Shtetet e Bashkuara i bashkohen luftës së Izraelit.

Irani po përgatit raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse Shtetet e Bashkuara i bashkohen luftës së Izraelit, raporton New York Times, duke cituar burime amerikane.

 

Gjithashtu, Irani mund të vendosë mina në Ngushticën e Hormuzit nëse Shtetet e Bashkuara i bashkohen luftës së Izraelit, duke cituar burime po të NYT, që thanë se minat do të kishin për qëllim bllokimin e anijeve luftarake amerikane në Gjirin Persik.

 

Ndërkohë, siç raportojnë mediat nga Tel Aviv, operacioni i Izraelit kundër Iranit “nuk do të përfundojë pa dëmtuar objektin bërthamor Fordow”.

 

Sakaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po konsideron mundësinë e një ndërhyrjeje të përbashkët ushtarake me Izraelin kundër objekteve bërthamore iraniane, përfshirë edhe ato në kompleksin e Fordow, sipas burimeve të cituara nga rrjeti amerikan CBS, partner mediatik i BBC-së në SHBA.

 

Burimet kanë bërë të ditur se kjo çështje ka qenë ndër temat kryesore të diskutuara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, e cila u zhvillua në dhomën e situatave të emergjencës në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, ende nuk ka një marrëveshje të plotë mes këshilltarëve më të ngushtë të presidentit për këtë çështje delikate.

 

Takimi, i cili zgjati rreth një orë e 20 minuta, është mbyllur pa ndonjë deklaratë publike nga ana e Presidentit Trump. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende detaje mbi vendimet e mundshme të marra, por pritet që zhvillimet e mëtejshme të bëhen të ditura në orët apo ditët në vijim.

 

Këto lëvizje vijnë në një klimë tensioni të shtuar mes Iranit dhe Izraelit, me konfrontime të përshkallëzuara dhe shqetësime në rritje për programin bërthamor iranian. Analistët ndërkombëtarë paralajmërojnë se një ndërhyrje ushtarake në objektet bërthamore të Iranit do të mund të sjellë pasoja të mëdha për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë./Javanews.al


Më të lexuarat