×
Secondary Adv

AMF paralajmëron investitorët për aktivitetin e platformës NetherexPro

AMF paralajmëron investitorët se NetherexPro nuk është e licencuar apo e njohur nga autoriteti.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar sot një njoftim zyrtar, ku paralajmëron investitorët shqiptarë se platforma e investimeve NetherexPro nuk është e licencuar, regjistruar dhe as e njohur nga ky institucion.

 

NetherexPro është një platformë investimi online, që mundëson tregtimin e kriptovalutave, kryesisht të Bitcoin.

 

AMF sjell në vëmendje se, mbështetur në Ligjin nr. 62/2020 “Për Tregjet e Kapitalit” dhe Ligjin nr. 66/2020, datë 21.05.2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj apo tregtimin e tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, regjistruar, apo njohur më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

 

Pavarësisht se ky ligj është në fuqi prej pesë vitesh, deri më sot AMF nuk ka licencuar asnjë subjekt që ofron shërbime të investimit në kriptovaluta.

 

Sipas AMF-së, çdo investim në këto platforma mund të rezultojë me humbjen e të gjitha parave të investuara në mënyrë të pakthyeshme.

 

Investitorët duhet të jenë të qartë se Autoriteti nuk mund të mbrojë interesat e tyre kur investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara/regjistruara/njohura nga AMF.

 

Lista e subjekteve të licencuara nga Autoriteti ndodhet e publikuar në rubrikën “Regjistri i të Licencuarve” në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare./Monitor(https://monitor.al/amf-paralajmeron-investitoret-per-aktivitetin-e-platformes-netherexpro/)


Më të lexuarat