Secondary Adv

Irani tjetër kërcënim ndaj SHBA: Nëse ndërhyjnë, do të hakmerremi

Irani ka lëshuar një tjetër kërcënim ndaj SHBA-së, ndërsa Donald Trump po shqyrton mundësinë e përfshirjes në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Zëvendësministri i Jashtëm, Kazem Gharibabadi, tha se nëse SHBA-të duan të ndërhyjnë për të mbështetur Izraelin, atëherë Teherani do të hakmerret ndaj agresorëve.

 

Fjalët e tij u raportuan në mediat shtetërore, ndërsa Gharibabadi shtoi se Irani i këshilloi SHBA-të të mos përfshiheshin dhe tha se Irani nuk kishte kërkuar kurrë të zgjeronte konfliktin.

 

Ai shtoi: “Të gjitha opsionet e nevojshme janë në tryezë.”

 

Teherani ka bërë vazhdimisht komente kërcënuese lidhur me mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në luftime.

 

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu i kanë dhënë udhëzime ushtrisë izraelite që të “intensifikojë sulmet kundër objektivave strategjike” në Iran, pasi Irani nisi valën e fundit të raketave balistike në qytete anembanë Izraelit të enjten.

 

“Diktatori frikacak iranian rri thellë brenda bunkerit të tij të fortifikuar dhe nis sulme të qëllimshme në spitale dhe ndërtesa banimi në Izrael”, tha Katz në një deklaratë të ndarë nga ministria e mbrojtjes, duke iu referuar Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

 

“Këto janë format më të rënda të krimeve të luftës – dhe Khamenei do të mbahet përgjegjës për krimet e tij.”, shtoi ai.

 

“Kryeministri dhe unë i kemi udhëzuar IDF-të që të intensifikojnë sulmet kundër objektivave strategjike në Iran dhe kundër objekteve qeveritare në Teheran, me qëllim që të eliminohen kërcënimet me të cilat përballet Shteti i Izraelit dhe të destabilizohet regjimi i Ajatollahëve”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e tij.

 

Zëvendësministri i Jashtëm iranian Majid Takht Ravanchi tha se nëse SHBA-të vendosin t’i bashkohen Izraelit në sulmin ndaj Iranit, Teherani nuk do të ketë “zgjidhje tjetër” përveçse të hakmerret.

 

“Nëse amerikanët vendosin të përfshihen ushtarakisht, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të hakmerremi kudo që të gjejmë objektivat e nevojshëm për t’u ndërmarrë veprime. Kjo është e qartë dhe e thjeshtë. Sepse ne po veprojmë në vetëmbrojtje”, tha Ravanchi në një intervistë për CNN.

 

Ai tha gjithashtu se udhëheqja e vendit të tij tani dyshon në “sinqeritetin e amerikanëve” duke pasur parasysh kohën e sulmit të parë të Izraelit.

 

“Dy ditë para se të fillonte raundi tjetër, ndodhi agresioni. Pra, kjo është një tradhti e diplomacisë. Kjo është tradhti e besimit tonë ndaj amerikanëve. Ne duhet të jemi ata që duhet të kritikojmë mënyrën se si u trajtuam nga amerikanët, jo anasjelltas”, tha ai, duke iu referuar bisedimeve për marrëveshjen bërthamore që ishin duke u zhvilluar me SHBA-në.

 

Sipas zëvendësministrit të jashtëm, Teherani nuk i është drejtuar SHBA-së ose Izraelit për të rinisur bisedimet bërthamore që kur shpërthyen armiqësitë.

 

“Nuk po i drejtohemi askujt”, tha ai, “po mbrojmë veten. Edhe pse gjithmonë kemi promovuar diplomacinë nuk mund të negociojmë nën kërcënime. Nuk mund të negociojmë ndërsa populli ynë është nën bombardime çdo ditë. Pra, nuk po lutemi për asgjë, thjesht po mbrojmë veten”.

 

Gjithashtu Irani ka vendosur kufizime të përkohshme në të gjithë vendin për aksesin në internet, ndërsa Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e vendit ka përmendur shqetësime për sigurinë.

 

“Për shkak të keqpërdorimit të rrjetit kombëtar të komunikimit nga armiku agresor për qëllime ushtarake dhe për të rrezikuar jetën dhe pronën e njerëzve të pafajshëm, kufizimet e aksesit në internet janë vendosur përkohësisht me vendim të autoriteteve kompetente”, tha ministria në një deklaratë. /abcnews.al


Më të lexuarat