Secondary Adv

3 mld lekë për fermerët, me Garancinë Sovrane shteti do mbulojë 70 për qind të kredisë

Për sektorin e bujqësisë parashikohen këtë vit të vihen në dispozicion 3 miliardë lekë apo rreth 30 mln euro nëpërmjet Garancisë Sovrane.

Për të diskutuar mbi aspektet teknike të zbatimit të Garancisë së re Sovrane për sektorin e bujqësisë, të miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare ministri i Financave z.Petrit Malaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj.Anila Denaj zhvilluan një takim të përbashkët me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Bankave

 

Garancia Sovrane me fond prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë euro është një instrument i cili do të vihet në shërbim të sektorit privat me qëllim lehtësimin e aksesit në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha se Garancia Sovrane, e kombinuar me Kredinë e Butë të Bankës së Shqipërisë, ul normën e interesit në vetëm 2% dhe mbulon deri në 70% të kolateralit për kredi, deri në 25 milionë lekë për subjekt, duke krijuar lehtësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në prodhim bujqësor, agropërpunim, turizëm rural dhe akuakulturë.

 

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme do të kenë mundësi që këtë Garanci Sovrane ta kombinojnë edhe me produktin e Bankës së Shqipërisë duke përfituar më shumë mundësi dhe një akses më të madh financiar me fokus investimet që rrisin kapacitetin dhe cilësinë prodhuese në agropërpunim, modernizimin e mekanikës bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë etj..

 

Kjo është Garancia e pestë Sovrane që qeveria shqiptare vë në dispozicion të sipërmarrjeve private, si një mundësi për likuiditet të shtuar, me shtetin si garantues.

 

Ministria e Financave, ka në fokus të saj forcimin e partneritetit me bankat e nivelit të dytë në dobi të rritjes së aksesit në financë, por edhe ruajtjen e parametrave që garantojnë qëndrueshmërinë e borxhit publik.

 

Pak ditë më parë nëpërmjet Aktit Normativ ndryshoi ligji i buxhetit të shtetit, duke i shtuar 1 mld lekë fondit të Garancisë Sovrane për mbulimin e kolateralit të kredive për bizneset dhe fermerët në bujqësi i shtohen edhe 1 miliardë lekë. Pas shtesës fondi për Garancinë Sovrane arrin në vlerën e 3 miliardë lekë, ku 2 miliardë lekë fonde janë të pashfrytëzuara, nga garancia e mëparshme sovrane.

 

/Monitor (https://monitor.al/3-mld-leke-per-fermeret-me-garancine-sovrane-shteti-do-mbuloje-70-te-kredise/)


Më të lexuarat