
Shtëpia e Bardhë: Trump do të vendosë për Iranin brenda dy javëve të ardhshme
Mediat amerikane raportojnë se Trump ka miratuar planin për të sulmuar Iranin, por s'ka dhënë urdhrin përfundimtar.
Irani lëshon raketa balistike në disa qytete në Izrael. Ky i fundit shënjestron një reaktor në Arak. Mediat amerikane raportojnë se Trump ka miratuar planin për të sulmuar Iranin, por s'ka dhënë urdhrin përfundimtar. Khamenei deklaon se ndërhyrja amerikane është shenjë e dobësisë së Izraelit.
“Donald Trump do të marrë një vendim lidhur me Iranin në dy javët e ardhshme.” Kështu deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference për shtyp, duke u përgjigjur kështu nëse Pentagoni do të përfshihet në luftimet mes Iranit dhe Izraelit.
Izraeli dhe Irani vijuan sulmet ndaj njëri-tjetrit. Irani lëshoi gjatë natës raketa balistike në të paktën 4 zona të Izraelit. Një raketa goditi spitalin e madh Soroka në Beer Sheva, në jug të Izraelit, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Në mëngjes nisi një valë tjetër sulmesh, disa prej të cilave goditën ndërtesat në Tel Aviv, Holon dhe Ramat Gan. Autoritetet raportuan për të paktën 65 persona të plagosur, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu iu rikthye idesë së eleminimit të liderit të Iranit Ali Khamenei.
"Askush nuk është imun. Të gjitha opsionet janë të hapura", tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa vizitoi qendrën mjekësore Soroka të goditur nga një raketë iraniane.
Ushtria e izraelit thotë se ka vrarë shefin e shtabit të forcave të armatosura iraniane, Abdolrahim Mousavi, i cili më herët i kishte shpëtuar një atentati.
Ndërkohë, forcat izraelite njoftuan se kishin sulmuar reaktorin bërthamor të Iranit në Arak, raportoi televizioni shtetëror iranian, duke thënë se nuk kishte "asnjë rrezik rrjedhjeje rrezatimi" në asnjë rast. Centrali ishte evakuuar para sulmit, pas njoftimit në X nga IDF dhe thirrjes ndaj popullsisë të largohej nga zona.
Nga ana tjetër, ndërhyrja amerikane duket më pranë se kurrë. Mediat amerikane raportuan se SHBA po përgatiten për një sulm të mundshëm. Bloomberg citon zyrtarë të administratës, të cilët thanë se situata po vazhdon të evoluojë dhe mund të ndryshojë. Mundësia e një sulmi të SHBA-së gjatë fundjavës është një shenjë se Uashingtoni po mbledh infrastrukturën në Lindjen e Mesme për të shkuar drejtpërdrejt në luftë kundër Iranit.
Ëall Street Journal raporton gjithashtu se Trump thuhet se i tha stafit të tij se kishte "miratuar planet për të sulmuar" Iranin, por specifikoi se donte të priste për të dhënë dritën jeshile përfundimtare për të "parë nëse Teherani do të braktisë programin e tij bërthamor". Kjo u deklarua nga burime anonime për gazetën amerikane, pasi presidenti amerikan konfirmoi publikisht se një sulm ndaj Iranit është ndër opsionet në tryezë.
Sipas burimeve, presidenti amerikan shpreson që kërcënimi për t'u bashkuar me sulmet izraelite, të cilat kanë vazhduar prej gjashtë ditësh, do t'i detyrojë autoritetet iraniane të pranojnë kërkesat e tij. Në reagim të këtyre raportimeve, Khamenei ka deklaruar se ndërhyrja e SHBA-së tregon dobësinë dhe paaftësinë e Izraelit./Shqiptarja.com
Më të lexuarat








