Hakerat iranianë sulm kibernetik faqes së Bashkisë Tiranë: Morëm të dhëna dhe fshimë serverët
Hakerat iranianë sulmojnë faqen e Bashkisë së Tiranës. Aktualisht faqja është e paaksesueshme.
“Homeland Justice” thotë se ka arritur të marrë të dhëna dhe të fshijë serverët. Preket edhe procesi i regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe, pasi regjistrimi bëhet të faqja e Bashkisë së Tiranës.
Hakerat iranianë kanë marrë përsipër një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Në një postim në Telegram, “Homeland Justice” thotë se ka sulmuar kibernetikisht faqen dhe se aktualisht është jashtë funksionit. Në mesazhin e ndarë, “Homeland Justice” grupi shkruan se “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”
Postimi shoqërohet me pamje të faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës para dhe pas sulmit kiberentik, ndërsa në një tjetër mesazh thonë se e kanë paralajmëruar Shqipërinë që të “dëbojnë terroristët e MEK-ut”.
“Bashkia e Tiranës është jashtë funksionit tani. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ju paralajmëruam që të dëbonit terroristët e MEK-ut nga toka shqiptare. Por ju i njohët ata si refugjatë ligjorë dhe u dhatë lehtësira si dokumente identiteti dhe pasaporta të falsifikuara. Situata aktuale është shkaktuar nga drejtuesit e qeverisë shqiptare. Përshëndetuni me ndërprerjen e shërbimeve të qytetit dhe trafikut. Marrëveshja jonë me ju do të vazhdojë”, shkruajnë në Telegram.
Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës është aktualisht e paaksesueshme.
Ndërkohë, nga sulmi preket edhe procesi i regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe. Regjistrimi bëhet vetëm online te faqja e Bashkisë dhe zgjat deri më datë 22 qershor, pra edhe dy ditë.
Kjo nuk është hera e parë që ku grup kryen sulme kibernetike ndaj Shqipërisë. Në 2022-shin shërbimet shtetërore online në Shqipëri u sulmuan nga 4 grupe të sofistikuara hakerësh të mbështetur nga shteti i Iranit./Shqiptarja.com