Secondary Adv

Qeveria ul buxhetin me 9.3 milione euro per investime ne rruget rurale

 

Mosrealizimi i parashikimeve për financimet e huaja në drejtim të infrastrukturës ka bërë që qeveria të rishikojë në ulje planin për rrugët rurale. Ky plan realizohet prej vitesh nga ana e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ndërkohë që për shumë dikastere apo institucione fondet buxhetore nuk kanë ndryshuar, në Aktin Normativ, të kaluar në qeveri, vihet re se shpenzimet total për Fondin janë pakësuar.

 

Kështu, nga 2.18 miliardë lekë, që ishte planifikuar fondi buxhetor, Fondit Shqiptar të Zhvillimit i korrigjohet në ulje shuma, që kalon në 1.78 miliardë. Ndërkohë, nga financimet e huaja, korrigjimi kalon nga 8.9 miliardë lekë, që ishite parashikuar në fund të vitit të kaluar, në 8 miliardë. Në total, shpenzimet kapitale që i njihen Fondit të Zhvillimit kalojnë nga 11,08 miliardë lekë të planifikuara, në 9.78 miliardë. Ulja është e barabartë me 9,3 milionë euro, e konvertuar në valutë të huaj.

 

 

Ky ndryshim pasqyron vullnetin për të rregulluar situatën në rradhë të parë në rrugët nacionale, ku qeveria Rama gjeti një lënie të punimeve përgjysmë në të katër anët, si pasojë e mungesës së fondeve buxhetore e nga donatorët. Por ulja e investimeve tashmë është një politikë që po ndiqet me përparësi, sidomos për të arritur uljen e deficitit buxhetor nën limitin e përcaktuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

 

Shpenzimet kapitale, sipas monitorimit për periudhën janar-gusht 2014 dhe pas analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj, rezultojnë me një mosrealizim të theksuar. Kjo, sidomos në investimet me financim të huaj, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele të kënaqshme.

 

Në bazë të raportit statistikor të Financave të realizimit të investimeve publike për periudhën janar-gusht, investimet me financim të brendshëm paraqiten në një nivel realizimi prej rreth 47 përqind, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar me masën vetëm 33 përqind.Në total, niveli i realizimit të investimeve paraqitet në nivelin 40.5 për qind të planit.

 

Ndërkohë, nisur nga nevoja e rritjes së të ardhurave, Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese propozoi që shfrytëzuesit e minerave që fitojnë më shumë, duhet të paguajnë më shumë, duke bërë që renta minerare të mos jetë më një përqindje fikse, por progresive, në bazë të fitimeve. Të ardhurat nga renta minerare për tetëmujorin 2014 kanë shënuar një tkurrje prej 9% nga vjet, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, duke qenë rreth 16% më pak se ajo që Financat prisnin të mblidhnin.


Më të lexuarat