Secondary Adv

Biokarburantet, rreth 50 për qind më lirë: Do përjashtohen nga taksat dhe tarifat

Brenda këtij viti, në tregun shqiptar do të duhet të nisë përdorimi i biokarburanteve.

Një projektligj i shumëpritur, që ka nisur të diskutohet në Kuvend, parashikon përfshirjen e këtyre produkteve në përzierjen e karburanteve për transport, me një përqindje që do të rritet çdo vit deri në 7% në vitin 2030.

 

Por ajo që tërheq vëmendjen është çmimi, pasi biokarburantet pritet të kushtojnë rreth 82.68 lekë për litër më pak se karburantet aktuale. Ky çmim konkurrues vjen si rezultat i përjashtimit nga të gjitha taksat dhe tarifat që rëndojnë aktualisht mbi produktet e zakonshme të naftës.

 

Sipas dokumentit biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse të rinovueshme për transport, do të përjashtohen nga akciza prej 38.9 lekë/litër, nga taksa e qarkullimit prej 27 lekë/litër, si dhe nga taksa e karbonit prej 3 lekë/litër. Ndërkohë që, për totalin e tyre përfitohet edhe nga mosaplikimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 20% apo 13.78 lekë/litër.

 

Sipas relacionit shoqërues, në vitin 2025 detyrimi për përdorimin e 1% biokarburant në përzierje i korrespondon 6,400 ton karburant. Kjo përkthehet në 661 milionë lekë më pak në të ardhura buxhetore, një kosto që qeveria e konsideron të justifikueshme përballë përfitimeve afatgjata për mjedisin dhe konsumatorin.

 

Kjo nuk është hera e parë që synohet miratimi i një ligji të tillë, por nismat e mëparshme nuk janë finalizuar. Megjithatë, këtë herë zyrtarët e konsiderojnë një proces të paevitueshëm për shkak të tranzicionit të gjelbër dhe angazhimeve të ndërmarra në këtë drejtim. /Scan


Më të lexuarat