Hekurudha Durrës - Rrogozhinë, sigurohet financimi: BERZH miraton kredinë 30 mln euro
Linja hekurudhore Durrës – Rrogozhinë po hyn në një fazë të re zhvillimi.
Projekti për rehabilitimin e saj ka siguruar tashmë edhe miratimin e kredisë 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kompletuar paketën financiare prej 120.5 milionë euro së bashku me 90 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve.
Pas miratimit paraprak nga qeveria shqiptare, marrëveshja me BEI u nënshkrua në Tiranë në prill të këtij viti. Ndërkohë që, miratimi i kredisë 30 mln euro nga BERZH është finalizuar në datën 11 qershor.
Segmenti hekurudhor 34 kilometra, nga porti i Durrësit në Rrogozhinë, do të rehabilitohet, modernizohet dhe elektrifikohet për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Linja nuk i është nënshtruar ndonjë rikonstruksioni të plotë deri më sot dhe ndodhet në gjendje të amortizuar.
Projekti është pjesë e korridorit hekurudhor VIII, një aks strategjik që lidh portet italiane me Durrësin, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke shërbyer jo vetëm për lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave, por edhe si një rrugë kyçe për mobilitetin ushtarak në Europën Juglindore.
Vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e ka cilësuar këtë investim si një hap të rëndësishëm për lidhjen më të fortë të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe për rritjen e sigurisë rajonale.
Pas përfundimit të punimeve, trenat në këtë linjë do të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. Nga aspekti mjedisor, zhvendosja e trafikut nga rrugët në hekurudha pritet të reduktojë ndjeshëm ndotjen dhe të sjellë përfitime në efikasitet, siguri dhe reduktim të emetimeve të karbonit. /Scan