Kavaja dhe Tirana kryesojnë listën e bashkive me borxhe në 2024, 41 për qind e totalit
Borxhet e pashlyera të bashkive rrezikojnë seriozisht funksionimin financiar të njësive të qeverisjes vendore.
Sipas raportit më të fundit të financave vendore për vitin 2024, pesë bashki mbajnë mbi 58% të të gjitha detyrimeve të prapambetura në shkallë kombëtare.
Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit dhjetor 2024, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave është rreth 3.2 miliardë lekë. Vlera e stokut të detyrimeve të prapambetura është ulur me rreth 0.3 milard lekë, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024, që ishte rreth 3.5 miliardë lekë, dhe është ulur me rreth 1.6 miliardë lekë, krahasuar me fundvitin 2023, që ishte 4.8 miliardë lekë.
Stokun më të lartë të detyrimeve e ka bashkia Kavajë në vlerën rreth 738 milionë lekë, i cili përbën 23.1% të totalit të detyrimeve. Më pas, bashkia Tiranë në vlerën rreth 570 milionë lekë, i cili përbën 17.9% të totalit të detyrimeve, bashkia Pogradec në vlerën rreth 238 milionë lekë, i cili përbën 7.5% të totalit të detyrimeve, bashkia Rrogozhinë në vlerën rreth 161 milionë lekë, i cili përbën 5% të totalit të detyrimeve, bashkia Vorë në vlerën rreth 154 milionë lekë, i cili përbën 4.8% të totalit të detyrimeve.
Në nivel qarku, vetëm 5 prej tyre kanë rezultuar me një stok të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2024. Nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura e ka Këshilli i Qarkut Berat me 49.6 milionë lekë, ndërkohë që qarqet e tjera kanë një nivel më të ulët si qarku Durrës, Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë.
Sipas natyrës ekonomike stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të dhjetorit 2024 është në kategorinë “Të tjera” me rreth 32.2% të totalit dhe pas tyre vijnë detyrimet për investime (28.63%) dhe ato për shërbime të caktuara (16.21%) të përfituara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Analizimi i faktorëve të cilat kanë një impakt të rëndësishëm në krijimin e detyrimeve të prapambetura, është moment i rëndësishëm për të listuar risqet. Për vitin 2024, detyrimet e prapambetura zënë vetëm 4.3% të totalit të shpenzimeve faktike të pushtetit vendor. /ekofin.al