Pas anulimit, FSHZH rishpall tenderin 2.4 mln euro për agroturizmin e mollëve në Korçë
Me një fond limit prej mbi 236 milionë lekësh, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka rihapur tenderin për “Fermën e dijes dhe agroturizmit të mollëve, Korçë”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit rishpalli këtë të mërkurë procedurën me objekt “Mbështetje për ngritjen e poleve të zhvillimit të integruar rural në partneritet me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë lokalë dhe qendrorë: “Ferma e dijes dhe argotizmit të molleve, Korçë – Faza 1”.
Bëhet fjalë për të njëjtën procedurë të hapur më herët në 14 maj dhe të anuluar më pas nën argumentin se në fazën e parë nuk u dorëzua asnjë ofertë e përshtatshme.
Këtë herë procedura do të qëndrojë e hapur për dorëzimin e ofertave deri më 11 korrik dhe fondi limit ka mbetur i njëjti me një vlerë 234.4 milionë lekë apo rreth 2.4 milionë euro. konkretisht ferma e dijes dhe agrotuizmi i mollëve që parashikohen në afërsi të fshatit Qatrom në Korçë synojnë të bashkojnë në një të integruar parcela, qendra mikpritje, infopoint.
Janë katër lloj parcelash që do të jenë pjesë e fermës si parcelat intensive, super intensive, gjysmë intensive dhe ato tradicionale. Po kështu në funksion të projektit do të ndërtohet edhe një parkim. Sipas raportit arkitektonik është menduar që ferma të ketë sistem antibreshër.
Sistemi Mbështetës dhe Antibreshër, janë dy sistemet kryesore në zonën e parcelave teksa mënyra sesi funksionojnë ato është përshkruar në raportin e agronomit që shoqëron procedurën. Projekti parashikon një zonë eventesh. “Kjo e fundit cilësohet si një nga zonat më të veçanta të këtij projekti.
“Ndërhyrja e një bimësie tjetër nga ajo e parcelave të fton në një zonë ky zhvillohen evente me tematika të ndryshme. Në zonën e eventeve në varësi të tematikes së organizimit, do të vendosen struktura të përkohshme si: tenda, tavolina+ karrige, kabine që ofron pije apo ushqime të gatshme” thuhet në raport.
Një tjetër pjesë e integruar do të jetë Qendra e Mikpritjes e cila përfaqësohet konkretisht me: Info-Point. Kjo strukturë ndodhet në zonën e shërbimeve e cila është pika e parë lidhëse dhe informuese në lidhje me Fermën e Dijes.