Secondary Adv

Rënia e interesave po tkurr të ardhurat e bankave, por kostot e veprimtarisë janë në rritje

Ndërkohë që rënia e normave të interesit po i korrigjon në ulje fitimet, sektori bankar po përballet me presione të qëndrueshme në krahun e shpenzimeve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill, raporti mes shpenzimeve (duke përjashtuar shpenzimet për interesa) dhe të ardhurave bruto arriti në 55.4%, duke arritur nivelin më të lartë që nga fundi i vitit 2022.

 

Deri në fund të tremujorit, shpenzimet e aktivitetit të bankave, gjithmonë duke përjashtuar ato për interesa patën arritur në 4.7 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe njëkohësisht në nivelin më të lartë historik.

 

Në vitet e fundit, edhe sektori bankar është përballur me rritje të kostos së punës, ashtu si shumica e sektorëve të ekonomisë shqiptare. INSTAT raportonte se në fund të 3-mujorit I 2025, paga mesatare në sektorin financiar arriti në 142 423 lekë në muaj, në rritje me 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Paga mesatare në sektorin financiar është 73% më e lartë se paga mesatare në ekonomi dhe afërsisht dy herë më e lartë se paga mesatare në sektorin privat.

 

Ndërkohë, numri i të punësuarve brenda sektorit bankar ka shfaqur një tendencë të vazhdueshme në rritje gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të tremujorit të parë të këtij viti sektori bankar punësonte 7 227 individë, me një rritje prej 3.8% krahasuar me një vit më parë.

 

Përveç rritjes së kostos së punës, vlerësohet se në përgjithësi kosto e veprimtarisë së sektorit ëhstë rritur, duke reflektuar rritjen e përgjithshme të çmimeve në ekonomi. Gjithashtu, nevojat për investime vazhdojnë të jenë të larta, veçanërisht në lidhje me teknologjinë dhe me sigurinë kibernetike.

 

Një faktor tjetër që ka rritur shpenzimet e sektorit, duke përfshirë edhe ato të personelit, është edhe rikthimi i tendencës së zgjerimit të rrjetit të degëve.

 

Në fund të muajit mars 2025 bankat tregtare raportuan gjithsej 408 degë aktive, nga 405 në fund të vitit 2024 dhe 389 që patën raportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në vitet e fundit, disa prej bankave të sektorit kanë nisur një cikël të zgjerimit të degëve, të lidhur me strategjitë e tyre të rritjes, veçanërisht në segmentin retail.

 

Rritja e numrit të degëve është e lidhur me momentin pozitiv të sektorit bankar në periudhën pas pandemisë. Performanca e mirë financiare ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e rrjetit të degëve.

 

Ndërkohë që treguesit e shpenzimeve janë në rritje, ulja e normave të interesit prej më shumë se një viti ka filluar të reflektohet në rënien e fitimeve të bankave. Të dhëenat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit prill, fitimi progresiv neto i sektorit bankar ra në 11.1 miliardë lekë, 11% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e fitimeve po reflektohet qartë edhe në treguesit e rentabilietit.

 

Në fund të 4-mujorit, kthimi nga kapitali aksionar, mesatarizuar me bazë vjetore, ra në 15.28%, nga 18.81% që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet zbriti në 1.58%, nga 1.9% që kishte qenë një vit më parë./Monitor(https://monitor.al/renia-e-interesave-po-tkurr-te-ardhurat-e-bankave-por-kostot-e-veprimtarise-jane-ne-rritje/)


Më të lexuarat