Secondary Adv

Euro drejt niveleve më të larta në katër vite: A mund të arrijë në 1.20 dollarë apo edhe më shumë

Euro kaloi pragun prej 1.17 dollarësh ditën e sotme, duke shënuar nivelin më të lartë që prej shtatorit 2021.

Me një rritje 13% që nga fillimi i vitit, monedha e përbashkët është në rrugën për të realizuar performancën më të mirë vjetore që nga viti 2017, dhe ndoshta që nga 2003. Kjo e ka sjellë gjithashtu më pranë kufirit psikologjik 1.20 dollarë.

 

Që nga inaugurimi i presidentit Donald Trump më 20 janar 2025, euro është forcuar me rreth 15% ndaj dollarit amerikan. Por cilat janë arsyet pas këtij forcimi të ndjeshëm të euros dhe a ka hapësirë për rritje të mëtejshme?

 

Kthesa fiskale në Gjermani ndryshon lojën

 

Shpjegimi lidhet me një kombinim të rrallë mes stimulit fiskal në Europë, rënies së besimit në politikën monetare të SHBA-së dhe grumbullimit të pozicioneve spekulative kundër dollarit që po ushqejnë forcimin e euros.

 

Megjithëse Banka Qendrore Europiane (BQE) ka vazhduar ciklin e uljes së normave të interesit, faktori kyç që ka ndikuar në rritjen e euros është politika fiskale, veçanërisht ajo gjermane.

 

Në muajin mars, Bundestagu miratoi një ndryshim kushtetues që përjashton shpenzimet ushtarake dhe të infrastrukturës nga rregulli i ashtuquajtur “frenim i borxhit”, i cili e kufizon qeverinë nga huamarrja e tepërt.

 

Ky ndryshim ligjor hapi rrugën për krijimin e një fondi infrastrukture prej 500 miliardë eurosh për energjinë e gjelbër, transformimin dixhital dhe zhvillimin rajonal deri në vitin 2035, të gjitha të strukturuara jashtë buxhetit për të shmangur kufizimet e borxhit.

 

Paralelisht, Berlini ka premtuar të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të PBB-së, në përputhje me objektivat e NATO-s për vitin 2030 dhe iniciativën më të gjerë “ReArm Europe” me vlerë 800 miliardë euro.

 

Kriza politike në SHBA dëmton besimin te dollari

 

Nga ana tjetër e Atlantikut, ekonomia amerikane po jep shenja dobësimi. Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e parë ka pësuar tkurrje, pjesërisht për shkak të rritjes së importeve para hyrjes në fuqi të tarifave të reja në prill.

 

Por vëmendja e tregjeve është përqendruar më shumë te presioni politik, që po rritet mbi presidentin e Rezervës Federale, Jerome Powell.

 

Megjithëse Powell përsëriti këtë javë se është shumë herët për të ulur normat, duke përmendur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe pasiguritë për inflacionin që vjen nga tarifat, besimi i investitorëve te pavarësia e Fed-it është tronditur.

 

Sipas analistëve të bankës BBVA: “Powell nuk duket i prirur të ulë normat që në korrik, edhe pse brenda Fed-it po zhvillohet një debat i brendshëm mbi kohën e lëvizjes së ardhshme monetare, i cili pritet të intensifikohet”.

 

Ata shtuan se dobësimi i dollarit është thelluar “në kushtet kur raportohet se presidenti Trump po shqyrton mundësinë për të zëvendësuar Poëell deri në shtator ose tetor”, megjithëse mandati i tij përfundon në maj 2026.

 

Tregjet e kanë interpretuar këtë si një situatë të mundshme me një “kryetar në hije”, i cili mund të ndikojë pas kuintave për të mbajtur normat e interesit të ulëta, duke ushtruar presion negativ mbi dollarin.

 

Çfarë po shikojnë analistët në ecurinë euro-dollar?

 

Francesco Pesole, analist në ING, theksoi rëndësinë në rritje të të dhënave mbi punësimin në SHBA.

 

“Lajmet nga tregu i punës kanë potencial ndikimi të madh, veçanërisht pasi të dhënat e inflacionit për muajin maj nuk arritën të nxisnin një reagim më të butë nga Powell. Nëse ka lëvizje në pjesën e dytë të mandatit të Fed-it, disa anëtarë të tjerë të FOMC mund të bashkohen me krahun që favorizon uljen e normave, pavarësisht shqetësimeve për inflacionin.”

 

Ai vuri në dukje se tregjet aktualisht vlerësojnë si 25% mundësitë për një ulje të normave më 30 korrik dhe presin një ulje totale prej 62 pikësh bazë deri në fund të vitit.

 

Ndërkohë, pozicionimi i investitorëve po vazhdon të ndikojë kursin euro-dollar.

 

Treguesit teknikë sinjalizojnë vazhdim të trendit pozitiv. Luca Cigognini, analist në Intesa Sanpaolo, komentoi: “Struktura afatshkurtër e EUR/USD mbetet përgjithësisht pozitive. Nëse thyhet niveli i rezistencës 1.1717, euro mund të shkojë drejt 1.1750, me objektivin tjetër në 1.1800–1.1820.”

 

Përtej këtyre niveleve, tregtarët kanë vënë në shënjestër rezistencën në 1.1910, niveli i gushtit 2021, dhe më pas barrierën psikologjike në 1.20.

 

Objektivat më të lartë përfshijnë edhe 1.2350 (janar 2021) dhe 1.2550 (shkurt 2018), por arritja e tyre do të varet ndjeshëm nga zhvillimet ekonomike dhe politike në gjysmën e dytë të vitit. /Monitor(https://monitor.al/euro-drejt-niveleve-me-te-larta-ne-kater-vite-a-mund-te-arrije-ne-1-20-dollare-apo-edhe-me-shume/)


Më të lexuarat