
Ballkani dhe sfida e ujit, Shqipëria përballet me infrastrukturë të vjetëruar dhe ndotje
Në vendet e Ballkanit Perëndimor produktiviteti i ujit vijon të mbetet shumë poshtë mesatares së Bashkimit Evropian.
Vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta mjedisore dhe ekonomike dhe një tregues i rëndësishëm, siç është produktiviteti i ujit vijon të mbetet shumë poshtë mesatares së Bashkimit Evropian.
Kjo gjë reflekton efikasitet të kufizuar në përdorimin e burimeve ujore në ekonomi. Sipas të dhënave të fundit të OECD-së për periudhën 2020–2023, rajoni arriti të gjenerojë mesatarisht 25.9 dollarë amerikanë për metër kub uji të tërhequr, rreth një e treta e produktivitetit të BE-së.
Shqipëria, ndër vendet me performancë të dobët në këtë drejtim, përballet me sfida të veçanta për shkak të kushteve klimatike dhe infrastrukturës së vjetruar. Vetëm 20% e reshjeve vjetore bien gjatë muajve të verës, duke detyruar fermerët të mbështeten në sistemet e ujitjes për të ruajtur prodhimin bujqësor. Kjo ka çuar në një varësi të lartë nga tërheqja e ujit të ëmbël, veçanërisht në bujqësi, një sektor që zakonisht konsumon rreth 66% të burimeve ujore në vendet me të ardhura të mesme të larta si Shqipëria, thekson raporti.
Në kontrast, Bosnje dhe Hercegovina ka shënuar një përmirësim mbresëlënës prej 58% në produktivitetin e ujit gjatë së njëjtës periudhë, duke e rritur ndjeshëm mesataren rajonale. Kosova gjithashtu ka treguar efikasitet më të lartë, duke përdorur vetëm 7% të tokës së saj potencialisht të ujitshme. Kjo lidhet edhe me faktin se si Kosova, ashtu edhe Bosnja kanë një topografi kodrinore-malore që favorizon kultura me kërkesa më të ulëta për ujë, si fruta dhe perime.
Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, paraqitet si vendi me produktivitetin më të ulët të ujit në rajon, duke rënë me mbi 40% gjatë periudhës së analizuar. Sot, vendi arrin vetëm 27% të mesatares rajonale dhe më pak se 10% të mesatares së BE-së.
Përveç ndikimeve klimatike dhe bujqësore, një tjetër faktor që e frenon produktivitetin e ujit në Shqipëri dhe rajon është cilësia e dobët e ujit dhe ndotja mjedisore. Përdorimi në rritje i pesticideve dhe kimikateve ka ndotur ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, duke dëmtuar ekosistemet dhe cilësinë e tokës. Ndërkohë, infrastruktura për trajtimin e ujërave të ndotura është e pazhvilluar: vetëm 20% e ujërave të ndotura trajtohen, duke e kufizuar potencialin për përdorim ekonomik të ujit.
Përveç kësaj, humbjet në rrjetet e shpërndarjes janë jashtëzakonisht të larta deri në 67% të ujit të furnizuar humbet ose nuk llogaritet, për shkak të rrjeteve të vjetra, mungesës së mirëmbajtjes etj.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka nevojë për investime strategjike në modernizimin e infrastrukturës së ujitjes, ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe për reforma në menaxhimin e burimeve ujore për të përmirësuar produktivitetin dhe qëndrueshmërinë në përdorimin e ujit, një faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe mjedisor të vendit dhe rajonit në tërësi./ekofin.al
Më të lexuarat








