Periudha e zhvillimit të praktikës do të jetë në muajt shtator-dhjetor 2025 dhe më tej, për ata të rinj që do të vlerësohen se do të përmbushin kriteret, institucionet shtetërore do të lidhin edhe kontrata punësimi me afat 1-vjeçar.
Sipas vendimit të Qeverisë, kuota maksimale e aplikimit të të rinjve për këtë vit është deri në 600. Sipas vendimit, pas realizimit të praktikës së punës, deri në 250 të rinj mund të përzgjidhen nga institucionet shtetërore për t’u punësuar për një periudhë 1-vjeçare në institucionet publike.
Sipas vendimit të qeverisë, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët janë:
a) Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç;
b) Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë;
c) Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme;
ç) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ, në kuptim të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
Programi i praktikave përbëhet nga periudha 3 mujore e praktikës dhe periudha 1 vjeçare e punësimit me kontratë. Të dyja njihen si përvojë pune gjatë procedurave të rekrutimit në administratë.
Numri i praktikantëve, që përfshihen në periudhën 3 mujore të praktikës nuk është më shumë se 600 praktikantë. Gjatë periudhës së kryerjes së praktikës, praktikanti përfiton edhe trajtim ushqimor në formën e kompensimit financiar si edhe trajnime pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.
Vlera ditore e kompensimit financiar është 500 lekë dhe i akordohet praktikantit për çdo ditë praktike të kryer prej tij. Pagesa e kompensimit financiar kryhet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.
Në përfundim të periudhës 3 mujore të praktikës, deri në 250 nga praktikantët përzgjidhen nga institucionet ku kanë kryer praktikën për t’u punësuar me kontratë pune 1 vjeçare.
Deri në 200 praktikantë përzgjidhen nga institucionet e administratës shtetërore dhe deri në 50 nga institucionet e tjera publike. Për t’u punësuar, kusht është përmbyllja e praktikës dhe trajnimit pranë ASPA-s. Praktikantët e punësuar do të jenë në nivel specialisti, me page të kategorisë IV-3. /ekofin.al