
Zhvillimi nga privati i pallatit të sportit Asllan Rusi, shtyhet afati i aplikimeve
Aplikimet për fazën e parë të projektit të investimit “Rijetëzimi i Pallatit të Lojrave me dorë Asllan Rusi”, Tiranë do të shtyhen deri më 21 korrik 2025 nga data 13 korrik që ishte afati i mëparshëm.
Njoftimin e ka bërë vetë Korporata e Investimeve Shqiptare në rrjetet sociale.
Projekti synon të transformojë Pallatin e Lojrave me dorë “Asllan Rusi” në Tiranë dhe zonën urbane përreth tij, duke e kthyer në një qendër multifunksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Tiranës.
Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti.
Konkurrimi për përzgjedhjen e partnerit privat do të kryhet nëpërmjet procedurës konkurruese përzgjedhëse me pikëzim, me 2 faza/3 zarfa, përkatësisht faza e kualifikimit dhe faza e përzgjedhjes, siç specifikohet në “Rregulloren për Procedurën e Konkurrimit”, të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Korporatës.
Faza e kualifikimit (Faza I) konsiston në paraqitjen e një aplikimi nga subjektet e interesuara, aplikim i cili përmban projektidenë paraprake arkitekturore të projektit dhe dokumentacionin që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve të kualifikimit të aplikantëve.
Faza e përzgjedhjes (Faza II) konsiston në paraqitjen e një propozimi, i cili përmban dy zarfa të ndarë: (a) zarfi i parë përmban projektidenë arkitekturore dhe (b) zarfi i dytë përmban ofertën financiare, sic detajohet në Ftesën për Propozim. Kjo fazë synon përzgjedhjen e projekidesë arkitekturore dhe të propozimit financiar më të favorshëm për Korporatën të paraqitur nga një partner i kualifikuar.
Ky njoftim hap fazën e parë të procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit. Në këtë fazë do të kualifikohen 5 (pesë) kandidatë, të cilët krahas projektidesë, duhet të marrin përsipër pagesën e vlerës së projektit të detajuar arkitekturor të konceptidesë, pagesën e vlerës së taksave, tarifave dhe kontributeve, në kuadër të aplikimit për leje zhvillimi, leje ndërtimi, mbikëqyrjen e punimeve apo çdo fazë të zhvillimit të pronës deri në regjistrimin e pronës së zhvilluar etj.
Projektideja konstiston në ndërtimin e një sipërfaqeje rreth 40,000 metra katrorë.
Vetëm kandidatët e kualifikuar në fazën e parë do të ftohen në fazën e dytë të konkurrimit. Faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatit fitues konsiston edhe në paraqitjen nga aplikantët edhe të ofertës financiare. Ofertat e paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 40% e sipërfaqes totale të zhvillimit në pronën shtetërore (prona e Bashkisë Tiranë/Qendra Sportive sh.a.
Kriteri përzgjedhës në fazën e dytë është përqindja më e lartë e sipërfaqjes së ofruar për Korporatën mbi kriterin bazë, të përllogatitur mbi sipërfaqjen totale të metrave katrorë të zhvilluar në pronën shtetërore. /ekofin.al
Më të lexuarat








