Asistenca për para-anëtarësimin evropian, qeveria miraton marrëveshjen financiare me BE
Qeveria ka miratuar marrëveshjen e financimit me BE-në për mbështetjen e Planit Vjetor të Veprimit 2024, në kuadër të programit IPA III.
Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, në kuadër të Planit Vjetor të Veprimit për vitin 2024, që mbështetet nga Instrumenti i Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III).
Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë dhe synon të sigurojë mbështetje financiare për reformat kyçe që ndihmojnë përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Instrumenti IPA III për vitin 2024 pritet të financojë projekte në fusha si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, arsimi, mjedisi dhe administrata publike. Plani synon të forcojë kapacitetet institucionale të vendit, të përmirësojë shërbimet për qytetarët dhe të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë zbatimit të masave konkrete të mbështetura nga fondet e Bashkimit Evropian./Scantv