Secondary Adv

Projekti 70 mln USD për shëndetësinë me BB zgjatet me tre muaj të tjerë

Projekti “Për përmirësimin e Sistemit Shëndetësor” me një vlerë rreth 70 milionë USD mbështetur nga Banka Botërore përmes IBRD do të shtyhet me tre muaj të tjera deri në 30 shtator 2025.

Ky rishikim lidhet me plotësimin e disa objektivave të fundit që janë në proces. Deri në qershor disbursimi i fondeve ishte 70.31 për qind e totalit apo 45.58 milionë dollar teksa pjesa ende e padisbursuar do të shkojë për pagesat e fundit që kanë mbetur kryesisht lidhur me blerjen e pajisjeve mjekësore të disa spitaleve.

 

“Zgjatja e propozuar tre-mujore e huasë AF, nga 30 qershor 2025 në 30 shtator 2025, është e nevojshme për të: (a) përfunduar dorëzimin, instalimin dhe trajnimin mbi përdorimin e pajisjeve të mbetura mjekësore në tre spitalet që janë rehabilituar në kuadër të projektit; dhe (b) përfunduar punimet civile në Spitalin Psikiatrik.

 

Ofrimi i kohës shtesë për dorëzimin e pajisjeve të mbetura mjekësore është kritik për të siguruar funksionalitetin e plotë të Departamentit të Kardiokirurgjisë në QSUT, si dhe të spitaleve të Krujës dhe Lezhës që janë rehabilituar në kuadër të AF-së, duke modernizuar kështu spitalet publike të zgjedhura në përputhje me PDO-në.

 

Ndërsa ka pasur një marrëveshje të qartë midis Bankës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) që punimet e rehabilitimit për Departamentet e Psikiatrisë së Urgjencës dhe Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve në Departamentin Psikiatrik të QSUT, të cilat nuk mund të përfundojnë deri më 30 qershor 2025, do të financohen nga Qeveria me burimet e veta financiare, kjo zgjatje gjithashtu do të ofrojë kohë shtesë për përfundimin e punimeve të mbetura në dy godinat e Departamentit Psikiatrik” thuhet në raportin e fundit ku parashtrohet ristrukturimi.

 

I njëjti dokument vlerëson se projekti për Përmirësimin e Sistemit Shëndetësor në Shqipëri u miratua më 27 shkurt 2015. Ai përfshin një hua origjinale prej 32.1 milionë EUR (përkatësisht 40 milionë USD), e cila hyri në fuqi më 28 gusht 2015.

 

Një hua shtesë për financim (AF) prej 25 milionë EUR (përkatësisht 29.5 milionë USD) u miratua më 1 dhjetor 2021 dhe hyri në fuqi më 22 korrik 2022. Qëllimi i rishikuar i Zhvillimit të Projektit (PDO) është të kontribuojë në modernizimin e shërbimeve të zgjedhura spitalore publike dhe të mbështesë rindërtimin e objekteve të zgjedhura mjekësore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Projekti është ristrukturuar katër herë./Monitor ( https://monitor.al/projekti-70-mln-usd-per-shendetesine-me-bb-zgjatet-me-tre-muaj-te-tjere/)


Më të lexuarat