Secondary Adv

Ligji i bashkëpronësisë, të gjitha bashkitë duhet të krijojnë Regjistrin Elektronik

Qeveria shqiptare ka propozuar një ndërhyrje të re ligjore që synon rregullimin e administrimit të objekteve në bashkëpronësi.

Në përgjigje të zhvillimeve të vrullshme urbane, ndryshimeve demografike dhe nevojave për qeverisje më efektive të hapësirave të përbashkëta, qeveria shqiptare ka propozuar një ndërhyrje të re ligjore që synon rregullimin e administrimit të objekteve në bashkëpronësi.

 

Kjo nismë vjen në një moment kur komplekset rezidenciale dhe ndërtimet moderne po shtohen me ritme të shpejta, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në periferi të qyteteve të mëdha si Tirana.

 

Ndryshimet e theksuara në tipologjinë e ndërtimit, nga pallatet tradicionale në fshatra turistike dhe komplekse rezidenciale, si dhe ndikimi i fenomeneve natyrore si përmbytjet, tërmetet dhe stuhitë, kanë nxjerrë në pah boshllëqet në legjislacionin ekzistues për administrimin e hapësirave të përbashkëta në ndërtesa. Për më tepër, trendi i urbanizimit dhe detyrimet ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm e bëjnë të domosdoshme një qasje të re.

 

Aktualisht, vetëm Bashkia e Tiranës ka ngritur një strukturë funksionale për administrimin e bashkëpronësisë. Bashkitë e tjera përballen me sfida të mëdha për shkak të mungesës së burimeve dhe përvojës. Megjithatë, ato janë shpesh të detyruara të ndërhyjnë për të mbuluar dëmet në objektet në bashkëpronësi, pa një strukturë të qartë ligjore dhe financiare.

 

Qeveria synon të trajtojë paqartësitë ligjore, mungesën e mekanizmave të inspektimit dhe ndërmjetësimit, si dhe problemet me transparencën në menaxhimin e fondeve të bashkëpronësisë.  Me një strukturë të qartë ligjore dhe administrim më efikas, pritet që ankesat e qytetarëve pranë bashkive për problematika në mjediset e përbashkëta të reduktohen me rreth 10–20% brenda 1–2 viteve të para, në varësi të zonës dhe intensitetit të ndërhyrjeve.

 

Ndërhyrja synon jo vetëm të përmirësojë funksionimin praktik të administrimit të ndërtesave, por edhe të shmangë konfliktet mes bashkëpronarëve dhe të garantojë sigurinë e objekteve.

 

Për të garantuar zbatimin efektiv të ligjit, ndërhyrja do të përfshijë:

 

- Hartimin e një politike të re kombëtare;

- Forcimin e kapaciteteve të bashkive;

- Krijimin e regjistrave elektronikë të bashkëpronësisë;

- Vendosjen e mekanizmave të monitorimit dhe ndërmjetësimit.

 

Kjo ndërhyrje mbështet objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021–2030 dhe angazhimet e Shqipërisë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, ajo kontribuon në avancimin e reformave për integrimin evropian në fushën e zhvillimit urban dhe qeverisjes vendore.

 

Objektivat konkrete të ligjit të ri

 

Ligji i ri do të synojë:

 

- Përcaktimin e qartë të kompetencave dhe procedurave për administrimin e objekteve në bashkëpronësi;

- Vendosjen e rregullave të reja për menaxhimin financiar dhe detyrimet monetare;

- Rritjen e profesionalizmit dhe standardizimin e shërbimeve nga administratorët dhe shoqëritë administruese;

- Forcimin e rolit mbikëqyrës të bashkive;

- Sanksione për mosrespektimin e detyrimeve ligjore;

- Sigurimin e një qasjeje të unifikuar për të gjitha tipet e objekteve, pavarësisht llojit të përdorimit.

 

Afatet dhe rezultatet e pritshme

 

- Brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha bashkitë duhet të krijojnë regjistrin elektronik të bashkëpronësisë.

- Gjatë vitit të parë, do të organizohen të paktën 5 trajnime rajonale për stafet bashkiake.

- Brenda dy viteve, të realizohen inspektime në të paktën 50% të ndërtesave në bashkëpronësi.

- Deri në vitin 2027, të realizohen fushata të gjera informuese për bashkëpronarët mbi detyrimet e tyre ligjore.

 

/Monitor (https://monitor.al/ligji-i-bashkepronesise-te-gjitha-bashkite-duhet-te-krijojne-regjistrin-elektronik/)


Më të lexuarat