Miratohet ndërtimi i rrugës mes Alpeve, lidh qarqet Shkodër dhe Kukës
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ka përcjellë lajmin në lidhje me një rrugë të re që lidh qarkun e Shkodrës me atë të Kukësit.
Beci bën me dije se një rrugë që lidh Shkodrën, Thethin, Nikaj-Mërturin, Tropojën dhe vazhdon drejt Gjakovës do të jetë funksionale brenda pak kohësh.
“Siç e kemi premtuar, sot bashkia ka miratuar lejen e ndërtimit për një nga rrugët më të rëndësishme në Alpet Shqiptare që lidh dy qarqe – Shkodrën me Kukësin, përmes zonave të mrekullueshme të Shalës dhe Nikaj-Mërturit, duke krijuar të ashtuquajturin “Trekëndëshi turistik Theth – Curraj i Epërm – Valbonë””, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.
Në territorin e Bashkisë Shkodër rruga përfshin segmentin Lekaj – Abat – Pecaj – Qafa e Ndërnajes me një gjatësi prej 13,4 km, në njësinë administrative Shalë.
“Kjo rrugë shkurton largësinë mes Thethit dhe Lekbibajt, lidh mbi 380 struktura pritëse (bujtina dhe kulla alpine) brenda paketës së turizmit të Alpeve, forcon lidhjet midis Dukagjinit, Nikaj-Mërturit dhe Gjakovës dhe ndihmon komunitetet vendase dhe emigrantët që të rikthehen dhe të investojnë në vendlindje”, pohoi Beci.
Sipas Becit, ky projekt është fryt i bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe Qeverisë shqiptare dhe do të realizohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ai do t’i kthejë zonat e Alpeve në qendra të zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik. /ekofin