Stadiumi Elbasan Arena është drejt perfundimit, teksa po punohet në të gjitha frontet. Çështja më interesante ka të bëjë me ndenjëset, pasi shihet edhe si pjesa më atraktive e impiantit, ku puna po ecën me ritmin e duhur.
Ka përfunduar më shumë se 60% e punimeve dhe deri në fund të javës janë të gjitha gjasat që të dorëzohen “çelësat” në këtë sektor. Përveç shqiponjës, që ndodhet në vendin ku rrinë zakonisht ultrasit, rreth e përqark stadiumit dominojnë ngjyrat kuqezi, të cilat në mënyrë uniforme krijojnë një dekor të bukur. Stadiumi Elbasan Arena po ecën me një vrull punimesh ka në ambientet e brendshme të stadiumit, ku ka përfunduar pothuajse tërësisht lyerja dhe veshja me gips, përveç pjesës së tavanit që është lënë për në fund. Nga burimet pranë punëtorëve mësohet se këto punime nuk hanë shumë kohë dhe do të jenë gati disa ditë para ndeshjes me Danimarkën. Teksa ka përfunduar shtrimi me pllaka, ka filluar të vendosen edhe xhamat në ambientet e brendshme, për ta kompletuar kështu dhe këtë sektor të rëndësishëm të impiantit.
Për sa i përket fushës, është hedhur një farë e re bari, e cila, përveçse do ta bëjë më cilësore atë, do t’i japë dhe ngjyrën e gjelbër, karakteristikë kjo për një terren sportiv. Fjalë të mira mund të thuhen edhe për fasadën, që për momentin qëndron e mbuluar, për shkak të lyerjes që i është bërë (me blu dhe gri). Kur të zbulohet një herë e mirë, pritet që t’i japë një tjetër pamje stadiumit “Elbasan Arena”. Forcat punëtore janë shtuar aktualisht edhe te pjesa e parkingut të stadiumit, e cila po shtrohet me pllaka të vogla. Edhe rruga që kalon në stadium po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe të shpejtë, sepse duhet të jetë në një sinkron me impiantin, i cili po bëhet modern. E njëjta gjë po bëhet edhe për sa i përket gjithë perimetrit të stadiumit, i cili i është nënshtruar një rikonstruksioni total.
Cmimet e biletave për takimin me Danimarkën
Institucioni i futbollit shqiptar ka publikuar ditën e Hënë listën e çmimeve për 18 sektorë të impiantit, teksa bie në sy shifra prej 100 mijë lekësh të vjetër për tribunat kryesore A2, A3 dhe B3. Çmimi më i lirë për tifozët është në sektorët anësorë të stadiumit, pikërisht në G2 dhe C2, vetëm 10 mijë lekë të vjetër. Ndërkohë, në tribunën përballë E, aty ku mendohet të qëndrojnë ultrasit kuqezi, çmimi i biletës është 30 mijë lekë të vjetër. Sipas asaj që bën të ditur FSHF, shitjet e biletave do të fillojnë më 5 tetor. Sa u përket pikave të shitjeve, tifozët e interesuar mund të blejnë bileta në Elbasan dhe Tiranë./Panorama