Secondary Adv

Nga 1 gushti rriten tarifat e ujit në 16 bashki në qarqet e Korçës, Elbasanit dhe Beratit

Enti Rregullator i Ujit ka marrë vendim për rritjen e tarifave të ujit në qarqet Elbasan, Korçë dhe Berat.

Nga data 1 gusht 2025, qytetarët e 16 bashkive në qarqet Elbasan, Korçë dhe Berat do të paguajnë çmime të rritur të ujit, shoqëruar edhe më rritje të tarifave për largimin e ujërave të ndotur, si edhe tarifës fikse të shërbimit, që në total do të përkthehet në një faturë më të kripur mujore.

 

Enti Rregullator i Ujit ka marrë vendim për rritjen e tarifave të ujit, por edhe të largimit të ujërave të ndotura, si edhe të tarifës fikse të shërbimit për bashkinë e Korçës, përfshirë zonat rurale të saj, si edhe bashkitë Maliq, Devoll, Pustec dhe Kolonjë, për bashkinë e Beratit, Kuçovës, Skraparit, Dimalit dhe Poliçanit, si edhe për bashkinë e Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Cërrikut, Belshit dhe Peqinit.

 

Rritjet e tarifave të ujit variojnë, por përgjithësisht ka rritje nga 50% e në vijim si për abonentët familjarë, ashtu edhe për kategorinë e bizneseve.

 

Për qytetin e Elbasanit, nga çmimi i ujit nga 40 lek për m3 do të rritet në 60 lek për m3. Rritjet do të jenë edhe më të forta për bashkitë e tjera të qarkut të Elbasanit, ku për shembull për zonat rurale të Librazhit, çmimi nga 26 lek për m3 shkon në 60 lek m3.

 

Thuajse dyfishim të çmimit do të ketë edhe për qytetarët e bashkisë së Gramshit, nga 32 në 60 lek për m3, ndërsa rritje për t’u njësuar me çmimin 60 lek m3 do të ketë edhe për qytetarët e Belshit, Cërrikut dhe Peqinit.

 

Jo vetëm për ujin, por edhe për largimin e ujërave të ndotura, ka rritje të çmimit, që do të ndihen në total të fatura mujore e ujit. Kështu për Elbasanin, nga 9 lek, kjo tarifë shkon në 15 lek, për qytetarët e Gramshit që deri më sot nuk paguanin fare për largimin e ujërave të ndotura, tarifa bëhet 15 lek, ashtu si edhe për Cërrikun dhe po ashtu rritet duke u njësuar me 15 lek edhe për qytetarët e Belshit dhe të Peqinit. Edhe tarifat mujore e shërbimit në gjithë qarkun e Elbasanit njësohen në 200 lek, ku për një pjesë të qytetarëve rezulton të ketë rritje të fortë të kësaj tarife fikse.

 

Sa i përket qarkut të Beratit, në bashkinë Berat nuk do të ketë lëvizje të çmimit të ujit, por do të rritet lehtë tarifa për largimin e ujërave të ndotur, si edhe rritet me 50% tarifa fikse, nga 100 në 150 lek në muaj. Për bashkitë e tjera ka disa rritje të çmimit të ujit, ku bie në sy rritja për qytetarët e Skraparit nga 35 në 50 lek për m3 ujë. Rritje në bashkitë e tjera ka edhe sa i përket largimit të ujërave të ndotur, si edhe tarifës fikse mujore të shërbimit.

 

Sa i përket qarkut të Korçës, në bashkinë e Korçës, çmimi i ujit mbetet 72 lek për m3, por rriten tarifat e largimit të ujit të ndotur, si edhe tarifa fikse e shërbimit, nga 140 në 200 lek në muaj. Rritja është edhe më e fortë për zonat rurale të Korçës, ku nga çmimi aktual 38 ose 28 lek për m3, çmimi njësohet në 50 lek për m3. Gjithashtu dyfishohet tarifa fikse e shërbimit nga 100 në 200 lek në muaj për këto zona. Rritja ka edhe për bashkinë e Maliqit, ku një pjesë kanë patur deri tani edhe faturim afrofe prej 450 ose 225 lek në muaj. Tashmë, të gjithë do të paguajnë 50 lek për m3, si edhe tarifë shërbimi mujor të standartizuar në 200 lek në muaj nga 54 ose 27 lek që kishin paguar deri tani.

 

Rritje ka edhe për bashkitë e tjera, Devoll dhe Kolonjë, nga 38 lek në 50 lek për m3 në muaj, shoqëruar edhe më rritjen e tarifës fikse mujore të shërbimit, e cila standartizohet edhe për këto bashki në 200 lek në muaj. Çmimi i ujit për bashkinë e Pustec mbetet 50 lek për m3 në muaj, ndërkohë që dyfishohet tarifa fikse mujore e shërbimit nga 100 lek në 200 lek.

 

Argumentimi i ERRU për pranimin e kërkesave të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve është rritja e performancës dhe e mirëmenaxhimit të tyre. Por siç rezulton edhe në të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave për vitin 2024 në raportin e financave vendore, investimet e bashkive kanë ardhur në tkurrje, ndërsa rritja e fondit të pagave për të paguar punonjësit ka ardhur gjithnjë e më shumë në zgjerim. /ekofin.al


Më të lexuarat