Secondary Adv

Forcimi i Lekut u kushtoi depozituesve në valutë 43 miliardë lekë në 2024

Forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit u kushtoi depozituesve në valutë 43 miliardë lekë vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, efekti negativ statistikor i ndryshimit të kursit të këmbimit në kundërvlerën në Lek të depozitave në valutë llogaritet 27 miliardë lekë për 6-mujorin e parë të vitit të kaluar dhe 16 miliardë lekë të tjera në 6-mujorin e dytë të vitit.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në Euro, në monedhë origjinale, u rritën me 10% ndaj një viti më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të depozitave të individëve, me dhe pa afat. Depozitat me afat të bizneseve dhe individëve në Euro u rritën përkatësisht 16% dhe 15% më të larta në krahasim me nivelin e një viti më parë, ndërsa ndryshimi vjetor në depozitat e përgjithshme në Euro të secilit sektor ishte 6.6% dhe 10.6%.

 

Rritja e depozitave ka qenë më e fortë gjatë pjesës së dytë të vitit që ndikohet nga rritja e hyrjeve valutore nga turizmi dhe dërgesat e emigrantëve, ndërkohë që pjesa e parë është karakterizuar nga një ecuri e ngadaltë e tyre.

 

Kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie për të katërtin vit radhazi dhe preku një minimum të ri historik për vitin 2024. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 100.71 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi mesatar i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me 7.4% krahasuar me vitin 2023.

 

Kursi mesatar i këmbimit të Euros ka ardhur vazhdimisht në rënie pas vitit 2013, duke përjashtuar vitin e pandemisë, 2020, vit në të cilin shumica e treguesve ekonomikë pësuan shmangie të konsiderueshme, për shkak të ndikimit të masave kufizuese.

 

Megjithëse norma e rënies së kursit është ngadalësuar krahasuar me vitin 2023, sërish rënia e kursit mesatar Euro-Lek në vitin 2024 ishte rënia e dytë më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

 

Kursi i këmbimit Euro-Lek e mbylli vitin 2024 në nivelin 98.15 lekë. Krahasuar me fundin e vitit 2024, kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka rënë me 5.5%.

 

Depozitat totale pranë sektorit bankar vitin e kaluar arritën gjithsej në 1.68 trilionë lekë, në rritje vjetore me 5%. Struktura e depozitave nuk tregoi ndryshime të rëndësishme. Stoku i depozitave sipas afatit është i shpërndarë në mënyrë pothuajse të barabartë midis llogarive rrjedhëse dhe depozitave me afat, ndërsa depozitat e individëve dhe depozitat në valutë përbënin përkatësisht 78% dhe 52% të stokut të përgjithshëm të depozitave.

 

Në terma vjetorë, rritja e depozitave është regjistruar për të gjitha afatet, subjektet dhe monedhat, por kontributin më të madh në rritjen e stokut të përgjithshëm e kanë dhënë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, depozitat e individëve dhe depozitat në Lek.

 

Depozitat në Lek dhe valutë u zgjeruan me përkatësisht 53 miliardë lekë (7%) dhe me 25 miliardë lekë (3%), gjatë vitit 2024. Depozitat në valutë u tkurrën lehtë në gjashtëmujorin e parë të vitit, por shënuan rritje pozitive në muajt korrik-dhjetor, duke u shtuar me rreth 33 miliardë lekë gjatë gjysmës së dytë të vitit.

 

/Monitor (https://monitor.al/forcimi-i-lekut-u-kushtoi-depozituesve-ne-valute-43-miliarde-leke-ne-2024/)


Më të lexuarat