Secondary Adv

Buxheti i ri, sa rriten pagat dhe pensionet

Qeveria do të rrisë vitin e ardhshëm pagat dhe pensionet. Në buxhetin e 2017-s parashikohet që fondi për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, mjekëve, infermierëve, arsimtarëve, punonjësve të policisë të jetë 6 mililiardë lekë apo 60 milionë dollarë.


Ndërsa për rritjen e pensioneve, fondi i buxhetit do të jetë 2,9 miliardë lekë apo rreth 30 milionë dollarë. Sipas fondit të buxhetit, qeveria përllogarit rritje të pensioneve në masën 3 për qind për 635 mijë pensionistë.Rritja e pagave mesatare të buxhetorëve do të jetë 7 për qind. Ndërsa paga për mjekët dhe mësuesit do të rritet 10 për qind. Për punonjësit e Policisë pagat do të rriten 17 për qind. Rritjen më të lartë do ta kenë pagat e ulëta të buxhetorëve, që parashikohet të rriten 35 për qind. Përfitues të rritjes do të jenë 80 mijë punonjësit e administratës.


Pronarët dhe të përndjekurit
Më shumë para për vitin 2017 do të ketë për shtresën e ish-pronarëve, ndërsa fondi i buxhetit për shtresën e ish-të përndjekurve do të mbetet i pandryshuar. Për kompensimin e ish-pronarëve fondi do të rritet 2 milionë dollarë. Sipas të dhënave, për kompensimin e ish- pronarëve do të përdoren 3,8 miliardë lekë apo 38 milionë dollarë, nga 3,6 miliardë lekë apo 36 milionë dollarë që është aktualisht fondi.


Rritje parashikohet të ketë edhe fondi për shpronësimin e ish- pronarëve mbi pronat e të cilëve janë ngritur ndërtimet pa leje. Për shpronësimin e ishpronarëve do të përdoren të ardhurat e legalizimeve që parashikohen me rritje. Në 2017-n ato do të jenë 2 miliardë lekë, nga 1,6 miliardë lekë që janë aktualisht.
Pra, një rritje prej 400 milionë lekësh. Për kompensimin e shtresës së ish-të përndjekurve nuk do të ketë rritje fondi. Edhe në këtë buxhet qeveria parashikon të përdorë të njëjtën fond, në vlerën e 2 miliardë lekëve.


Shpenzimet për sigurime
Për administratën, shpenzimet për sigurime shoqërore do të rriten. Në buxhet parashikohen të shpenzohen 10,3 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë që janë shpenzimet për sigurime aktualisht. Ndërsa shpenzimet për pagat e punonjësve do të ulen. Sipas të dhënave të buxhetit, për pagat e punonjësve do të shpenzohen 58,1 miliardë lekë, nga 60,1 miliardë lekë që shpenzohen aktualisht.


Ulja e fondit do të jetë 1,9 miliardë lekë. Nga ana tjetër, do të mbetet i pandryshuar fondi për ndihmën ekonomike dhe pagesat e paaftësisë për persona me status të veçantë të invaliditetit. Fondi do të jetë 20,5 miliardë lekë edhe për 2017-n. Pagesa e papunësisë do të pësojë ulje. Në vitin e ardhshëm, për të papunët qeveria parashikon të shpenzojë 800 milionë lekë, nga 900 milionë lekë që po shpenzon aktualisht.


Më të lexuarat