Secondary Adv

Eurostat, Shqipëria vendi më i shtrenjtë në Ballkan për koston e jetesës

Shqipëria mbetet një nga vendet më të shtrenjta në rajonin e Ballkanit sa u përket çmimeve të konsumit.

Madje, çmimet në vendin tonë janë më të larta edhe krahasuar me shumë vende evropiane.

 

Sipas të dhënave të Eurostat, pavarësisht se Shqipëria renditet ndër vendet më të përballueshme në Evropë kur bëhet fjalë për çmimet aktuale individuale të konsumit me 63 nga 100 që është mesatarja e Bashkimit Evropian ajo ngelet një vend i shtrenjtë krahasuar me fqinjët e saj ballkanikë. Pas Shqipërisë, renditen Serbia (61) dhe Bosnja dhe Hercegovina (60), Mali i Zi (58). Ndërkohë Maqedonia e Veriut (50) dhe Turqia (47) regjistruan nivele çmimesh më të ulëta se Shqipëria.

 

Në të kundërt, Kroacia (73) dhe Sllovenia (91), të dyja anëtare të BE-së, regjistruan nivele çmimesh dukshëm më të larta, duke reflektuar një përafrim më të ngushtë me mesataren e BE-së.

 

Situata në Evropë

 

Çmimet ndryshojnë ndjeshëm midis vendeve në Evropë. Diferenca të konsiderueshme ekzistojnë edhe mes vendeve fqinje si Austria dhe Hungaria — apo Gjermania dhe Polonia.

Indekset e nivelit të çmimeve janë një mënyrë e mirë për të kuptuar sa të shtrenjta apo të lira janë mallrat dhe shërbimet në secilin vend. Ato krahasojnë nivelet kombëtare të çmimeve me mesataren e BE-së dhe llogariten duke përdorur Paritetin e Fuqisë Blerëse (PPP).

 

Sipas Eurostat, PPP funksionon si një monedhë e përbashkët artificiale, pasi tregon se sa mallra dhe shërbime mund të blejnë njerëzit me të njëjtën shumë parash në vende të ndryshme.

 

Rezultatet bazohen në anketime për çmime që mbulojnë më shumë se 2,000 produkte dhe shërbime konsumi, të zhvilluara në 36 vende evropiane.

 

Si krahasohen çmimet mes vendeve?

 

Ekzistojnë disa indekse të niveleve të çmimeve që krahasojnë kostot e kategorive të ndryshme si: ushqimi, pijet, veshjet, hotelet etj. Përveç këtyre grupeve të veçanta, ekzistojnë dy tregues kryesorë që tregojnë nivelin e përgjithshëm të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve për konsum:

 

Konsumi aktual individual (AIC) – përfshin të gjitha mallrat dhe shërbimet që konsumohen realisht nga familjet, përfshirë ato të financuara nga organizata jo-fitimprurëse ose shteti (si shërbimet shëndetësore dhe arsimore).

 

Shpenzimet përfundimtare të konsumit të familjeve (HFCE) – pasqyron vetëm shpenzimet e drejtpërdrejta të familjeve për mallra dhe shërbime.

 

Me fjalë të tjera, AIC tregon çfarë përdorin familjet, përfshirë shërbimet që nuk i paguajnë vetë, ndërsa HFCE tregon çfarë shpenzojnë realisht.

 

Eurostat thekson se AIC përdoret më shpesh për krahasime ndërkombëtare, pasi përfshin më shumë elementë sesa koncepti më i ngushtë i konsumit familjar. Për këtë arsye, Euroneës ka përdorur shifrat e AIC për krahasime, edhe pse në grafik përfshihet edhe konsumimi familjar.

 

Zvicra është 3.9 herë më e shtrenjtë se Turqia

 

Deri në vitin 2024, nga 36 vendet e marra në analizë, Zvicra është vendi më i shtrenjtë, me çmime në 184% të mesatares së BE-së — 84% më të larta se mesatarja.

 

Turqia është vendi më i lirë, me çmime në 47% të mesatares së BE-së — 53% më të ulëta.

 

Kjo do të thotë se Zvicra është 3.9 herë më e shtrenjtë se Turqia, duke theksuar kontrastin e fortë në nivelet e çmimeve në të gjithë Evropën.

 

Vendet më të lira dhe më të shtrenjta në BE: Bullgaria vs Luksemburgu

 

Brenda BE-së, Luksemburgu është vendi më i shtrenjtë, me çmime 51% mbi mesataren e BE-së.

 

Bullgaria dhe Rumania janë vendet më të lira, me çmime 57% të mesatares së BE-së.

 

Kjo do të thotë se Luksemburgu është rreth 2.7 herë më i shtrenjtë se Bullgaria dhe Rumania, duke treguar një diferencë të madhe, por më të vogël krahasuar me hendekun mes Zvicrës dhe Turqisë.

 

Dhjetë vende të BE-së kanë çmime mbi mesataren e BE-së

 

Pas Luksemburgut vijnë Danimarka (143%), Irlanda (141%) ndërsa nga katër ekonomitë më të mëdha të BE-së Gjermania (109%) dhe Franca (108%) janë mbi mesatare, Italia (98%) dhe Spanja (91%) janë nën mesatare.

 

Modele gjeografike të çmimeve

 

Evropa Perëndimore dhe Veriore kanë nivele më të larta çmimesh. Zvicra, Islanda, Luksemburgu, Danimarka, Irlanda, Norvegjia dhe Finlanda shfaqin çmime shumë më të larta se mesatarja e BE-së. Këto vende janë zakonisht me të ardhura të larta dhe monedha të forta.

 

Pesë vendet nordike — Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Islanda — renditen gjithmonë në krye.

 

Në contrast Evropa Qendrore dhe Lindore kanë çmime më të ulëta. Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia dhe shtetet baltike (Letonia, Lituania, Estonia) janë nën mesatare. Këto rajone karakterizohen nga kosto më të ulëta të punës.

 

Çmimet janë gjithashtu më të ulëta në vendet kandidate për BE: Turqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

 

Pse janë vendet e EFTA-s kaq të shtrenjta?

 

Dy vende të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) — Zvicra dhe Islanda — zënë vendin e parë dhe të dytë në vitin 2024, me Norvegjinë në vendin e gjashtë.

 

Në një analizë të vitit 2018, bazuar në të dhënat e vitit 2017, Lars Svennebye nga Zyra Statistike e EFTA-s shpjegoi se produktiviteti i lartë i fuqisë punëtore dhe pagat e larta përkatëse janë faktorët kryesorë pas niveleve të larta të çmimeve në këto vende.

 

Faktorët që ndikojnë në ndryshimet e çmimeve

 

Filippo Pallotti, doktorant në ekonomi në University College London, tha për Euroneës Business se vendet më të shtrenjta në Evropë janë zakonisht edhe më produktivet.

“Rritja e produktivitetit në sektorët e tregtueshëm (si prodhimi dhe teknologjia) rrit pagat në të gjithë ekonominë – madje edhe në sektorët jo-tregtues si parukeri, mikpritje dhe pasuri të paluajtshme,” tha ai.

 

Ai vuri në dukje se kostoja e punës në orë pasqyron nivelet e çmimeve rreth 55 euro në Luksemburg, 50 euro në Danimarkë, vetëm 11 euro në Bullgari.

 

“Por kur krahasojmë një kafe me çmim 4 euro në Kopenhagë dhe 1 euro në Sofje, është pikërisht ndërveprimi mes produktivitetit të lartë në sektorët tregtues dhe pagave të rritura në të gjithë sektorët që e shpjegon hendekun,” shtoi ai.

 

Pallotti theksoi gjithashtu se përveç pagave, vetë produktiviteti varet nga intensiteti i kapitalit, adoptimi i teknologjisë, kapitali njerëzor, cilësia institucionale,infrastruktura, investimet e huaja, përfshirë menaxhimin e kualifikuar dhe tërheqjen e talenteve.

 

Faktorë të tjerë që ndikojnë në çmime janë TVSH-ja dhe taksat e tërthorta, kostoja e rregulloreve, dendësia urbane, infrastruktura e transportit dhe vlerësimi i monedhës.

 

Të ardhurat nuk përfshihen në krahasimet e çmimeve

 

Të ardhurat personale apo të familjes nuk janë pjesë e krahasimeve të çmimeve.

“Këto janë thjesht krahasime të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Ato nuk marrin parasysh pagat, rrogat apo të ardhurat personale,” tha Lars Svennebye për Euronews Business.

 

Kjo do të thotë se një person që jeton në një vend me çmime të larta mund të ketë ende mundësi të blejë më shumë mallra dhe shërbime sesa dikush në një vend më të lirë, në varësi të të ardhurave.

 

Çmimet ndryshojnë shumë edhe sipas kategorive

 

Për shembull, në BE, çmimi për alkool dhe duhan ishte pothuajse tri herë më i lartë në Irlandë (205%) — vendi më i shtrenjtë — sesa në Bullgari (69%), vendi më i lirë./ekofin.al


Më të lexuarat