Secondary Adv

Ndërhyrja në Karavasta, FSHZH shpall fituesin për fazën e tretë të projektit

Investimi në zonën e Karavastasë përveçse në aspektin e mbrojtjes së Lagunës synon të kombinojë edhe aspektin turistik.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli së fundmi fituesin e kontratës me objekt “Ndërhyrje në hapësira urbane, parqe, lulishte, promenade, etj.: Lot 4-“ Sistemimi dhe mbrojtja e argjinaturës lindore të Lagunës së Karavastasë prej erozionit”, Faza III”.

 

Në procedurën ku morën pjesë 12 operatorë fituese ishte ajo e kompanisë ALBA KONSTRUKSION me vlerë mbi 65 milionë lekë pa TVSH teksa fondi limit më herët ishte pak më shumë se 81 milionë lekë.

 

Kjo është faza e fundit e ndërhyrjes. Edhe në fazën e dytë dhe atë të parë fituese ishte e njëjta kompani.

 

Në fazën e dytë oferta fituese ishte 151 milionë lekë pa TVSH ndërsa faza e parë ishte pjesë e kontratës “Ndërhyrje për ngritjen e modeleve të qëndrueshme SMECO në fshatra me potencial zhvillimi: Sistemimi dhe mbrojtja e argjinaturës veriore të lagunës së Karavastasë prej erozionit” ku sërish fituese ishte e njëjta kompani me një ofertë fituese 144 milionë lekë. Në total investimi për këtë projekt llogaritet në 3.5 milionë euro pa përfshirë këtu TVSH-në.

 

Sipas dokumenteve e projekti “Sistemimi dhe mbrojtja e Argjinaturës Lindore të Lagunës së Karavastasë prej Erozionit, Faza III ”, synon të ndërtojë dhe formatojë me skarpate të rregullta argjinaturën e lagunës nga Përroi Kryekuq ( Sez–1, Km 0+000.00) deri ne afërsi te Bar Restorant Feniks ( Sez-152, Km 3+005.50 ) gjithsej 2767 m argjinature, dhe detajon masat për mbrojtjen e argjinaturës nga erozioni i shkaktuar nga veprimi i dallgës + baticë zbaticës në lagunë si dhe nga erozioni që shkaktojnë rrebeshet e shiut.

 

Në këtë argjinaturë do të ndërtohen 8 ura druri, secila me gjatësi 34 metra, në vendet ku argjinatura intersektohet me përrenjtë dhe kanalet kulluese qe futen ne lagune, si dhe do të ndërtohen 3 pika vrojtimi dhe pushimi mbi argjinature.

 

Investimi në zonën e Karavastasë përveçse në aspektin e mbrojtjes së Lagunës synon të kombinojë edhe aspektin turistik duke përmirësuar aksesin dhe duke shtuar elementë të rinj për vizitorët e parkut.

 

/Monitor (https://monitor.al/nderhyrja-ne-karavasta-fshzh-shpall-fituesin-per-fazen-e-trete-te-projektit/)


Më të lexuarat