Gjermania paralajmëron: BE gati për hakmarrje tregtare ndaj SHBA
Ministri gjerman i Financave paralajmëron se BE është gati për masa hakmarrëse ndaj SHBA, nëse tensionet tregtare me Trump nuk zgjidhen me marrëveshje.
Ministri i Financave i Gjermanisë, Lars Klingbeil, ka paralajmëruar se Bashkimi Europian është i përgatitur të ndërmarrë masa hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëse përshkallëzimi i tensioneve tregtare me administratën Trump nuk zgjidhet me një marrëveshje të drejtë.
Duke folur para Dhomës së Parlamentit Gjerman (Bundestag), Klingbeil deklaroi: “Nëse nuk arrijmë një marrëveshje të drejtë tregtare me SHBA-në, BE-ja është gati të ndërmarrë masa kundërpërgjigjeje.”
“Ne duam një marrëveshje me amerikanët, por do t’jua them qartë, marrëveshja duhet të jetë e drejtë. Dhe nëse nuk arrijmë të arrijmë një marrëveshje të drejtë me SHBA-në, atëherë BE-ja duhet të marrë masa kundër për të mbrojtur ekonominë tonë. Tarifat amerikane kërcënojnë vendet e punës në të dyja anët e Atlantikut. Kjo luftë tregtare na dëmton të gjithëve dhe duhet të përfundojë shpejt.”
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi më parë se Europa duhet të “tregojë forcë” në bisedimet tregtare me SHBA-në, ndërsa disa raporte pretenduan se Uashingtoni i ofroi BE-së të mbante një tarifë bazë 10% për mallrat e bllokut, duke përjashtuar avionët dhe pijet alkoolike.
Ky paralajmërim vjen në një moment kritik për negociatat mes BE-së dhe ShBA, teksa përpjekjet për të arritur një marrëveshje në parim mbi tarifat doganore po vijojnë. Fillimisht ishte planifikuar që një marrëveshje të përmbyllej brenda kësaj jave, por afati i ri për përfundimin e bisedimeve është shtyrë deri më 1 gusht.
Ndërkohë, nga Brukseli vijnë sinjale se BE-ja po punon me intensitet të lartë për të shmangur një përplasje të plotë tregtare. Komisioneri europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, u shpreh para Parlamentit Europian se bisedimet me administratën Trump po zhvillohen në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme.
“Dua t’ju siguroj se po punojmë pa pushim për të arritur një zgjidhje të negociuar, që të jetë e drejtë dhe me përfitime të ndërsjella,” – tha Šefčovič. “Por duhet të jemi të përgatitur për të gjithw skenarët dhe të gatshëm për të rivendosur ekuilibrin nëse do të jetë e nevojshme.”
Fokusi i bisedimeve mbetet vendosja ose heqja e tarifave mbi mallrat europiane, të cilat u vendosën më herët nga administrata amerikane si pjesë e një qëndrimi më agresiv tregtar.
Tensionet tregtare mes dy partnerëve më të mëdhenj ekonomikë të botës rrezikojnë të përshkallëzohen në një luftë tarifore, që mund të ketë pasoja serioze për tregtinë dhe rritjen globale./Monitor(https://monitor.al/gjermania-paralajmeron-be-gati-per-hakmarrje-tregtare-ndaj-shba/)