Secondary Adv

Investimet publike me financim të huaj ngecën në 2024, 39.6 për qind u realizua nga plani fillestar

Pavarësisht tre ndryshimeve të buxhetit 2024, investimet publike mbetën në nivele të ulëta, me realizim të dobët të projekteve të financuara.

Megjithëse buxheti i vitit 2024 u ndryshua tre herë përmes akteve normative, për të realizuar rialokime fondesh në projektet me ecurinë më të mirë, përsëri investimet publike ngecën,  duke shënuar një nivel të ulët realizimi. 

 

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave, shpenzimet kapitale për vitin e kaluar, përfshirë edhe Fondin e Rindërtimit, ishin rreth 115.4 miliardë lekë, me një realizim prej 87.3% të planit vjetor të ndryshuar me aktin normativ të dhjetorit.

 

Rezulton se shpenzimet e buxhetit për investime publike gjatë vitit të kaluar ishin 3.1% më pak se në vitin 2023, ose rreth 3.7 miliardë lekë më pak. Sipas shifrave të bëra publike nga Financat, investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 17.4 miliardë lekë, ose vetëm 39.6% e planit fillestar të Buxhetit.

 

Dhe pikërisht këtu duket se qëndron problemi kryesor i realizimit të investimeve publike, tek ato me financim të huaj, që pranohet edhe nga vetë Ministria e Financave, që thekson se “Problematikë për vitin 2024 ishte realizimi i projekteve me financim të huaj, kryesisht projekte të financuara me grant. Për pasojë, Qeveria, nëpërmjet tre akteve normative, ndërmori rishikimin në ulje të tavaneve buxhetore të Financimit të Huaj për institucionet përkatëse.”

 

Rezulton se 2024 ishte viti i tretë ku realizimi i financimeve të huaja në investime publike nuk e kalon shifrën 20 miliardë lekë. Dhe ky është një ngërç i madh, sidomos kur Shqipëria përpiqet të përfitojë fonde nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian. 

 

Paratë e vëna në dispozicion për vendin tonë llogariten deri në 922 milionë euro, të ndara në kredi dhe grante, ndërkohë që 64.5 milionë euro janë parafinancim, ndërsa pjesa tjetër e fondeve do të alokohet në varësi të një liste të mirëpërcaktuar reformash. /ekofin.al(https://ekofin.al/investimet-publike-me-financim-te-huaj-ngecen-ne-2024-vetem-39-6-realizim-nga-plani-fillestar/)


Më të lexuarat